Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Driton Selmanajt për Kryetar të Komunës së Prizrenit, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Dritoni vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren.
“Një faqe ku përparësitë nuk janë ndarjer partiake, por nevojat e qytetarëve. Ku prioritet nuk është retorika, por zhvillimi – i vërtetë, i matur, i planifikuar. Sepse qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët. Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, në kulturë, në turizëm, në teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen. Ka nevojë për investime në rininë e këtij qyteti – për të cilën LDK ka një plan të qartë: të ofrojë mundësi, të ndërtojë institucione, të hapë vende pune, të krijojë hapësira kulturore”, ka shkruar Abdixhiku.
“Dhe në këtë betejë, Driton Selmanaj është i gatshëm. Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë”, ka shkruar tutje ai./Reporteri.net