Lehtësimi i masave të lëvizjes ka bërë që qytetarë të shumtë të hënën të dalin me numër më të madh nëpër qytet
Rënia e numrit të të infektuarve dhe rritja e numrit të të shëruarve nga koronavirusi ka bërë që të zbatohen masat më të lehtësuara për parandalimin dhe përhapjen e COVID-19.
Me lehtësimin e këtyre masave përveç qarkullimit të lëvizjes së qytetarëve dhe veturave, tashmë janë hapur edhe bizneset.
Edhe sheshet e Prishtinës janë të mbushura me njerëz të cilët po e shfrytëzojnë këto tri orët gjatë ditës, mirëpo janë policët ata që kanë dalë për të shpërndarë qytetarët.
Ndërkohë duke e parë situatën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
Sipas Institutit, lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditë më parë tregoi se është vendosur që hapja e ekonomisë dhe heqja e masave kufizuese të bëhet në tri faza.
Faza e parë që do të fillojë nga nesër (4 maj), do të zgjasë deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 1 orë e gjysmë në 3 orë, në dy orare para dite dhe pas dite, sipas shifrës së parafundit të letërnjoftimit.
Orari i qarkullimit të qytetarëve nga data 4 – 18 maj, 2020 sipas shifrës së parafundit të nr. personal – i ndarë në dy pjesë (90 min paradite, 90 min pasdite).
Faza e dytë do të fillojë me 18 maj por një gjë e tillë sipas ministrisë varet nga situata epidemiologjike. /EO