×
  • Lajme
  • Lajme

    Lëshohet urdhërarrest pasi munguan të akuzuarit, ngarkohen se kërcënuan me heqje koke zyrtarët e AKP-së

    Reporteri
    18 Gusht 2021 | 8:28

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Besnik dhe Hamit Beka, të cilët akuzohen se penguan zyrtarët e AKP-së duke i kanosur me fjalët “s’keni çka lypni ju këtu, do t’jua këpus kokën”.


    Një vendim i tillë është marrë të martën pasi që dy të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancën e së martës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Për mungesën e të akuzuarit Hamit Beka, gjykatësi i çështjes Eroll Gashi deklaroi se ndaj tij gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga seanca e kaluar.Ndërsa, sipas gjykatësit Gashi nga njoftimi i Policisë thuhet se të njëjtin nuk e kanë gjetur në adresën e dhënë e që sipas familjarëve i akuzuari gjendet në Banjë.

    E për të akuzuarin Besnik Hamiti, sipas njoftimit të Policisë, të njëjtit nuk i është verifikuar adresa e saktë e banimit.

    Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe prokurori i shtetit, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

    Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë ndërsa e radhës mbetet e pa përcaktuar.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 20 prill 2018, Besnik Beka dhe Hamit Beka po akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “pengimi personit zyrtar, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri ne tre (3) vjet burg.

    Në aktakuzë thuhet se më 24 gusht 2016, rreth orës 13:00, në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, të akuzuarit duke i kanosur seriozisht personat zyrtar i kanë penguar në kryerjen e detyrave zyrtare, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarit Bekim Krasniqi dhe Beqir Ahmetaj në cilësinë e personave zyrtar të Agjensionit Kosovar të Pronave në bazë të kërkesës për riposedim kanë vizituar pronat e uzurpuara të cilat janë nën administrimin e AKP-së.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se duke biseduar me uzurpatorët Milot Cakaj dhe Hamdi Beka, janë kanosur seriozisht nga se të akuzuarit Besnik e Hamit Beka me fjalët “s’keni çka lypni ju këtu, do t’jua këpus kokën, këtë do t’ju bëjmë edhe familjeve të juaja, ku je e ku s’je kam me të gjete ty Bekim Krasniqi, kam me të kall me gjithë familje ty dhe fëmijët, veç mos dalsh jashtë objektit se ke punë me mu”, ku si pasoj e këtyre veprimeve janë detyruar që të largohen nga vendi i ngjarjes./BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!