Lëvizja për Bashkim ka shuar aktivitetin e saj politik, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i kësaj partie, Valon Murati, përmes një letre përshëndetëse, ka thënë se kjo nuk po ndodh se kanë humbur peshë vlerat që ajo përfaqësonte apo se është zbehur besimi në to, por sepse ato ishin të rënda për supet e saj.
“Pra sot, me dhembje dhe ndërgjegje, pranojmë se nuk ia dolëm t’i përmbushim objektivat të cilat i vendosëm kur u themeluam. Dhe në vend të zvarritjes së një ekzistence formale, sa për të ngritur kokë në kohë zgjedhjesh, kemi vendosur të bëjmë atë që pak e bëjnë në politikë: të largohemi me dinjitet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sot po shuhet një ide. Edhe pas kësaj dite, vizioni ynë do të mbetet i vetmi që siguron forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe hapjen e perspektivës për zhvillim të gjithëmbarshëm, deri në ditën e madhe të bashkimit të shqiptarëve. Kjo platformë është edhe testamenti ynë politik – një udhërrëfyes për ata që mbeten në politikë e që e duan zgjidhjen e vërtetë. Një thirrje që do të vazhdojë të jetojë përtej emrit tone”, ka shkruar Murati.
Në këtë letër, Murati ka thënë se mbeten të bindur se zgjidhja e vetme reale e problemit shqiptaro-serb është reciprociteti i plotë në të drejta, deri në ripërcaktimin e kufijve, bazuar në të drejtën e kombeve për vetëvendosje.
“Dhe kjo nuk ishte thjesht një pikëpamje, por një platformë e ndërtuar me maturi, vizion dhe guxim. Fatkeqësisht e shpërfillur, e stigmatizuar, madje e keqinterpretuar nga shumica – por kurrë e lëkundur nga e vërteta që përfaqëson. Prandaj, ajo që na ka veçuar në rrugëtimin tonë nuk ishte numri i votave të mbledhura, por pesha e konceptit politik që përfaqësonim dhe përpjekja për mobilizimin e qytetarëve për të mirën e përgjithshme. Kudo dhe kurdo, në institucione apo jashtë tyre, në nivel qendror apo lokal, me dinjitet e përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare i shërbyem interesit publik. Ndërgjegjja ishte busulla jonë e vetme udhëheqëse”, ka shkruar Murati.
/Reporteri.net