×
  • Lajme
  • Lajme

    Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” kërkon nga PZAP t’i shpallë të pavlefshme votat nga Serbia

    Reporteri
    10 Nëntor 2019 | 22:37

    Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Deçan, i bën thirrje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që t’i pranojë ankesat e partive politike shqiptare dhe t’i shpallë të pavlefshme votat e ardhura në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia.


    Në reagimin e LHK “Ali Hadri”, thuhet se PZAP duke i shpallur të pavlefshme votat e ardhura në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia, do të mbrojë kushtetutshmërinë dhe shtetësinë e Kosovës.

    Ndërkohë që PZAP është duke i shqyrtuar ankesat e partive politike, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, kërkon nga PZAP-i që të mos bie pre e presioneve të Beogradit, sikurse KQZ-ja dhe Qendra për Numrin dhe Rezultate (QNR), duke i vlerësuar si të rregullta votat e parregullta dhe antiligjore të ardhura në mënyre të jashtëligjshme dhe të porositura nga Serbia.

    “Shpallja e rezultateve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, nga ana e Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve më 7 nëntor, duke i vlerësuar si të ligjshme votat e ardhura në mënyre të jashtëligjshme nga Serbia, me këtë rast institucioni i KQZ-së ka shkelur rendë ligjin për zgjedhjet dhe aktet e tjera nënligjore të Kosovës”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nga momenti i shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë.

    Më së shumti ankesa në këtë institucion ka paraqitur partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42 të tilla. Gjithsej 23 ankesa janë paraqitur edhe nga LDK-ja, Vetëvendosje 5 ankesa, PDK-ja 12 ankesa, NISMA-AKR-PD 6. Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja.

    Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara, afat ky që përfundon gjatë ditës së nesërme.

    Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve, pastaj ka kohë 72 orë për të vendosur.

    Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit nga Serbia.

    Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur më herët se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!