×
  • Lajme
  • Lajme

    Lirimi nga burgu i profesorit – a rrezikohet vajza nga Drenasi që e ka fqinj të dyshuarin

    Reporteri
    03 Maj 2019 | 15:03

    Prokuroria Themelore e Prishtinës e cila po heton rastin e njohur si “Rasti i Drenasit” ka propozuar një masë më të lehtë për Shkelzen Xhekaj, profesori i dyshuar për abuzim seksual me vajzën e mitur A.G po na kjo komunë. Deri në ngritje të aktakuzës të dy  këta do të jetojnë në lagjen e njëjtë e kjo mund të zgjatë me muaj.


    Pak metra i ndajnë shtëpitë e A.G e profesorit Shkëlzen Xhekaj nga Drenasi. Ky i fundit dyshohet se për më shumë se një vit ka abuzuar seksualisht me nxënësen e fqinjën e tij të mitur. Por, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë, dërgoi propozim në Gjykatën Themelore që masa e arrestit ndaj tij të ndryshojë në arrest shtëpiak.

    A.G edhe për dy muaj sa mund të zgjatë masa e arrestit shtëpiak, do të jetojë në lagjen e njëjtë me të dyshuarin si abuzues të saj, e kjo sipas organeve kompetente nuk do të jetë e rrezikshme për të.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën se kanë dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore në Prishtinë për ndryshim të masës, por që deri në momentin e publikimit të lajmit thonë se ende nuk kanë marrë vendim nga Gjykata.

    “Ne nuk kemi vendim nga Gjykata, propozimi ka shkuar nga prokuroria por ende nuk kemi njoftim a kanë vendos për po apo jo. Kemi vendosur sepse kemi vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet sipas dispozitave ligjore, janë të qarta, në çdo moment kur të pushojnë kushtet për të cilat është caktuar paraburgimi mund të ndër prehet ose të propozohet për zëvendësim”, ka bërë të ditur për Express, prokurori i rastit të njohur si “Rasti i Drenasit”, Ruhan Salihu.

    Salihu ka sqaruar se propozimi është bërë për dy muaj, derisa në këtë periudhë pritet që të ngritët edhe aktakuza.

    “Propozimi është bërë për dy muaj, gjatë kësaj periudhe do të ngritët aktakuzë e pas saj vendos gjykata”, tha Salihu. Sipas prokurorit nuk do të ketë ndonjë rrezik për vajzën pas ndryshimit të masës.

    “Nuk ka rrezik sepse ata janë të vetëdijshëm. Ata nuk guxojnë me bo kurrfarë shkelje sa i përket urdhër arrestit nëse ju caktohet”, thotë Salihu.

    Masë e arrestit shtëpiak edhe propozuar edhe për policin hetues nga Drenasi, Vesel Veseli mbi të cilin rëndojnë akuzat për abuzim seksual ndaj A.G. Masë e arrestit shtëpiak iu është caktuar edhe avokatit Gazmend Halili i cili dyshohet për veprat e njëjta si polici dhe arsimtari, si dhe gjinekologut Fehmi Ahmeti që dyshohet se jashtëligjshëm ka kryer abortin e vajzës.

    Derisa një javë më parë ishte bërë e ditur se për “Rastin e Drenasit” do të ngritët aktakuzë, sipas informacioneve, do të duhen edhe disa muaj që një gjë e tillë të ndodhë.

     Cilat janë dyshimet për profesorin Shkëlzen Xhekaj?

    Por, çfarë dyshime ka prokuroria për Shkëlzen Xhekaj, për të cilin është propozuar një masë më e lehtë?

    A.G nga Drenasi, atëherë e mitur, pati lajmëruar në polici Xhekaj, duke bërë të ditur se ai kishte abuzuar seksualisht me të duke i premtuar martesë.

    Nga qershori i vitit 2016-të, sipas një aktvendimi të cilën e pati siguruar Gazeta A.G (atëherë 15-vjeçare) si dhe në bazë të deklaratave të saj në prokurori, kishte filluar të fliste përmes Facebook’ut me Shkelzen Xhekajn të cilin e kishte edhe fqinj, por, që i njëjti jepte mësim edhe në shkollën ku mësonte vajza.

    Të dy këta jetojnë në fshatin Poklek në Komunën e Drenasit dhe ishin njohur mes vete edhe familjarisht, edhe para se vajza të shkonte në shkollë të mesme.

    Sipas deklaratës që kishte dhënë ajo në Polici, dy herë, kur kishte munguar arsimtarja e cila jepte lëndën e njëjtë me Xhekajn, Shkelzeni e kishte zëvendësuar atë dhe kështu kishte ligjëruar në klasën e A.G.

    Fillimisht, të dy këta, e mitura dhe arsimtari, kishin filluar komunikimin përmes Facebook’ut, e më pas, edhe kishin pirë kafe në fshat.

    Siç kishte deklaruar e mitura në polici, zakonisht të dy takoheshin në orën 13:00, e pas një kohe që të dy vazhduan të takoheshin së bashku, kishin kryer edhe marrëdhënie seksuale.

    Krejt kjo histori kishte vazhduar për një vit e gjashtë muaj, deri kur për rastin ishte njoftuar edhe gruaja e arsimtarit.

    Në polici, e mitura edhe kishte dhënë detaje se si kishte filluar marrëdhënia me Xhekajn.

    “Kemi dalë me Shkëlzenin me pi kafe te ordinanca “….”, në fsh. Poklek i Ri, dhe zakonisht jemi dalë pas orës 13:00 dhe pastaj kemi shkuar në Prishtinë. Kemi pas marrëdhënie seksuale në veturën e Shkëlzenit e cila ishte e parkuar te fusha e futbollit “Bejtë Rexhepi”, koha ishte e ftohtë dhe ishte diku pasdite rreth orës 20:00”, kishte thënë A.G para policisë.

    E njëjta, kishte thënë se për këtë ka edhe prova, madje di edhe motelin në të cilin shkonin zakonisht, e aty e njihnin edhe personat që punonin aty.

    “Kemi shkuar në një motel në Prishtinë, lokalin e di, por emrin nuk ia di dhe kam një foto në telefonin tim, derisa isha në Fushë Kosovë edhe personat që punojnë aty na njohin mirë”, shtonte ajo.

    Nga profesori, që edhe atë kohë ishte i martuar e me fëmijë, kishte marrë premtimin se krejt rrugët e të dyve do të rregulloheshin, pasi që e mitura të përfundonte shkollën e mesme.

    Madje, kishte disa raste, kur ai i kishte dhënë tableta kundër shtatzënisë vajzës.

    “Ai më ka premtuar që rrugët tona do të na çelen masi unë të mbaroj shkollën, nga janari i 2016 deri në përfundim në qershor të vitit 2017 kemi shkuar në hotel dhe kemi pasur marrëdhënie seksuale. Shkëlzeni më ka dhënë tabletë mos me mbetë shtatzënë”, rrëfente ajo.

    A.G, madje, i kishte thënë policisë se e kishte takuar edhe gruan e profesorit të tij, të cilën e njihte edhe më herët, e që para saj kishte thënë se profesori ia ka shkatërruar jetën.

    A.G kishte tërhequr këto deklarata për profesorin Shkëlzen Xhekaj, për të cilët më vonë kishte bërë të ditur se e kishte bërë nga frika, e  prokuroria 19 janar të vitit 2018 mbylli hetimet.

    Për këtë rast, A.G ka dëshmuar edhe njëherë tash kur për Xhekajn po vazhdojnë hetimet. Shkelzën Xhekaj u arrestua në datën 7 shkurt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!