×
  • Lajme
  • Lajme / Rritja e kapaciteteve

    Maqedonci: Mbi 200 milionë euro investime në ushtri në tri vitet e fundit dhe mbi 1800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 11:07

    Dhjetë oficerë të rinj kanë diplomuar në ceremoninë e sotme të gjeneratës së vitit 2024 të kadetëve të rinj të Forcave të Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari”.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se ushtria e Kosovës po ec drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale e multietnike me mbi 200 milionë euro investime në tri vitet e e fundit dhe mbi 1800 ushtarë të rinj të rekrutuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Po e përmbyllim këtë vit duke i shtuar radhëve të FSK-së edhe dhjetë oficerë të rinj. Përvjetori i çlirimit sivjet dallon nga vitet tjera për shkak të stadit në të cilin gjindet sot, ushtria e Kosovës.
    Me arritjen e objektivave në kuadër të planit gjithpërfshirës, me rritjen në dy përqind të GDP-së për ushtrinë, me mbi 200 milionë investime në tri vitet e fundit dhe mbi 1800 ushtarë  e oficerë të rinj të rekrutuar, ushtria e Kosovës me ritme të shpejta po ec drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multietnike.

    Ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë, sot po e jetësoni ju kadetë andaj nuk kam si ta fsheh krenarinë që ndjej për ju.

    Janë ushtarakët tanë ata të cilët krahë për krahë me forcat ushtarake britanike dhe partnerët e tjerë, në kuadër të operacionit INTERFLEX po trajnojnë trupat ukrainase. Është shteti ynë Kosova, që në asnjë çast si anëtar i Grupit të Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, të udhëhequr nga partneri ynë SHBA, t’i dërgoj dy pako të mbështetjes ushtarake një populli që po lufton për liri, ngase të afërta i kemi kujtimet se sa e rëndësishme në momente të tilla është mbështetja e aleatëve dhe partnerëve dhe pozicionimi përballë një agresori që s’njeh kufij”, ka thënë Maqedonci./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!