Mali i Zi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, tha gazetari rus kritik ndaj Kremlinit, Gennadij Sisojev – dhe kjo për arsye se Fronti Demokratik i cili synon riformimin e qeverisë është formacion pro-rus, dhe si të tillë, Perëndimi do t’i perceptojë si armiqësorë dhe të papranueshëm, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Korrespodenti jetëgjatë për Ballkan i gazetës Kommersant, Sisojev, u shpreh se forcat politike që mbështeten në Rusinë, siç është rasti me Frontin Demokratik në Mal të Zi, nuk gëzojnë mbështetjen e Perëndimit.
Arsyeja edhe më e madhe për këtë, Sisojev tha se marrëdhëniet gjeopolitike vetëm se po shtrëngohen edhe më tej.
“Rusia po humbet pozicionin e saj, dhe në periudhën e ardhshme do të ketë vëmendje edhe më të shtuar të Perëndimit. Çfarëdo mbështetje ndaj Rusisë do të interpretohet si luftë kundër Perëndimit”, ka thënë ai në televizionin malazez “Gradska Tv”.
Duke komentuar marrëveshjen e nënshkruar në margjinat e OKB-së mes Beogradit dhe Moskës, gazetari rus e vlerësoi si “situatë për së tepërmi të çuditshme të shihet kushdo që anon ose mbështet në çfarëdo mënyre Rusinë”.
Sisojev tregoi edhe për referendumet e rreme ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës. “Dalja në votime kaloi 50%’shin”, tha ai.
“Sipas të dhënave të OKB-së, rreth dy milionë e gjysmë njerëz dolën nga ai territor muajve të fundit – disa shkuan në Perëndim, disa në Rusi. Ata që shkuan në Rusi mundën të votojnë. Nuk kishte vëzhgues ndërkombëtar. Ka pasur një vëzhgues nga Serbia, lideri i të djathtës serbe – Misha Vaçiç. Ai paraprakisht i dinte rezultatet e referendumit, dhe e diskreditoi veten ende pa u mbajtur ato”, ka thënë ai.
Në lidhje me veprimet e Perëndimit, Sisojev beson se do të përshpejtohet miratimi i paketës së tetë të sanksioneve ndaj Rusisë nga BE-ja, si dhe dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë, si dhe të armëve që po kërkojnë ukrainasit.
“Rusia tani do të konsiderojë ato zona [të referendumit] si territor të saj, dhe sulmi eventual i ushtrisë ukrainase mbi to do të konsiderohet si sulm në territorin rus”, tha ai./Reporteri.net/