Një i vdekur dhe 61 persona të prekur është bilanci i 10 ditëve të para të paraqitjes së koronavirusit në Kosovë.
Situata është ashpërsuar sot, kur nga 100 mostra të marra, 26 kanë dalë pozitive. Dhe këto mostra, sipas Institutit për Shëndetin Publik.
“Nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova”, thuhet në komunikatën e Institutit të Shëndetit Publik.
Me 26 rastet e reja, Malisheva bëhet komuna dukshëm më e prekur.
Malisheva tash ka gjithsejtë 21 raste, dhe të tillat janë të lidhura mes vete, kryesisht familjarë të personave të parë pozitiv në këtë komunë, shkruan Reporteri.
Gjilani ndërkaq tash bëhet komuna e dytë me 14 raste.
Komuna e Vitisë ka 7 persona të prekur me koronavirus.
Gjakova me 5 raste.
Prishtina me 4 raste.
Podujeva me 3 raste.
Kurse me veç nga një rast të paraqitur janë 6 komuna: Klina, Lipjani, Prizreni, Obiliqi, Theranda, Ferizaj dhe Shtimja.
Nga koronavirusi deri tani ka humbur jetën veç një person 85 vjeçar nga Dumnica e Podujevës, i cili u varros dje.
Rasti i parë me koronavirus është shënuar më 13 mars në komunën e Vitisë, ku ishte prekur një 77 vjeçar që kishte qëndruar në Itali.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vazhdimësi ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të respektojnë masat e rekomanduara nga ta dhe Ministria e Shëndetësisë, pra të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në rrugë pa arsye.
Ndërkohë përkundër rritjes së numrit të personave të prekur, në vendin tonë ende nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Qeveria e Kosovës ndërkaq ka marrë vendim që të kufizojë lëvizjen në qytet, si në këmbë ashtu edhe me automjete. Reporteri ka siguruar vendimin e Qeverisë, i cili ende nuk është publikuar ende.
“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);”, thuhet në pikën e parë të vendimit që e ka siguruar Reporteri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur të rrezikshëm, vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kurizuar lëvizjen e qytetarëve.
“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij sot kanë shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën e Kosovës. Është e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës”, tha ai në një konferencë të jashtëzakonshme.
Ai përmendi se shkelja me e madhe është bërë në nenin 56 të Kushtetutë së Kosovës që flet për të drejtat dhe lirinë themelore të njeriut.
Thaçi ka bërë thirrje nga qytetarët që të mos e zbatojnë këtë vendim, sipas tij antikushtetues.
“Qytetarët nuk janë të detyruar ti respektojnë vendimet anti-kushtutetesue dhe askush s’mund t’i dënojë ata për këtë. As policia dhe as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim, sepse edhe kështu bëjnë shkelje”, ka thënë ai.