Komunikimet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie, ku flitet për një “skeme të organizuar kriminale” lidhur me votat me postë të mërgatës, kanë nxitur reagimin e zyrtarëve të Vetëvendosjes.
Në komunikimet e publikuara sot, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka shpërndarë artikullin e Reporteri.net për këto biseda, teksa ka thënë se “LDK-ja e pranon që ka pasur vjedhje industriale të votave nga diaspora”.
Ai ka kërkuar që Prokuroria të veprojë menjëherë.
“PZAP dhe Gjykata Supreme rrëzoi ankesën tonë në lidhje me manipulimin e votave nga diaspora. Ndërsa vetë LDK-ja e pranon që ka pasur vjedhje industriale të votave nga diaspora. Prandaj veprimet e tyre kanë qenë jo të drejta, të turpshme dhe ato e kanë lënduar demokracinë në vendin tonë. Çdo orë që vonon prokuroria në hetimin e kësaj ngjarjeje e thellon edhe më tej problemin”, ka shkruar Rexhaj.
Bisedat i ka shpërndarë edhe ish-deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi. Ai ka thënë se këto biseda konfirmojnë dyshimet që ka ngritur kjo parti.
“Ata në Whatsapp e Viber jo vetëm se po tregojnë krimin, por edhe autorët e krimit. Të gjithë po i shohim faktet. Provat i kishin edhe në ankesat tona, por PZAP e Supremja zgjodhen të mbyllin sytë. Ne kemi vazhduar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është një çështje mandatesh e partishë, por çështje parimore për të mbrojtur vullnetin e ligjshëm e ruajtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Rrustemi.
Edhe ai ka kërkuar që Prokuroria të veprojë.
“Rasti është edhe në Prokurori. Kur i fton prokuroria këta? Çka duhet të ndodhë tjetër që Prokuroria me i ftu për intervistim? Çka ndodh me PZAP që nuk bëri as hetime e verifikime apo seancë dëgjimore që e kishte detyrim ligjor? Ky krim zgjedhor, më i madhi në zgjedhje i përqendruar në një numër votash nuk mund të injorohet e amnistohet”, ka shkruar Rrustemi.
Për bisedat e publikuara, me reagim ka dalë edhe zëvendësministri në detyrë Blerim Sallahu.
“Kur e patëm dorëzuar ankesën në PZAP, para mediave pata thënë se manipulimi i votave me postë është skemë kriminale e organizuar nga udhëheqja e LDK-së. Pra, ashtu edhe doli!”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të hetojë Kryesinë e LDK’së, anëtarët e PZAP’it dhe ata të Gjykatës Supreme.
“Tash Gjykata Kushtetuese duhet së shpejti të marrë masë të përkohshme ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht PSRK përveç kryesisë të LDK-së, duhet t’i hetojë edhe anëtarët e PZAP-së bashkë me ata të Supremes të cilët në mënyrë të kundërligjshme e kanë legalizuar dhe legjitimuar manipulimin kriminal të votave të udhëhequr nga udhëheqja e LDK-së!”, ka shkruar Sallahu.
Reagim bëri edhe deputetja e zgjedhur, Shqipe Mehmeti Selimi. Ajo ka shpërndarë screenshot’at e këtyre komunikimeve të publikuara nga Reporteri.net, teksa është marrë me Kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili, për të cilët ka thënë se duhet të dorëhiqen dhe vetëdorëzohen në Polici.
Ajo ka thënë se dyshimet e forta për vjedhjen dhe manipulimin e votave të mërgatës nga ana e LDK-së janë një goditje e rëndë për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve.
“Si për habi Lumiri dhe Doarsa (projektuesit e manipulimit) po heshtin për këto akuza… Për këta dy, dorëheqja dhe vetëdorzimi në polici është e pakta që duhet bërë. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të ndëshkuar fajtorët. Vota është e shenjtë dhe askush nuk guxon ta prekë apo ta manipulojë atë”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Ndryshe, Reporteri.net pak më herët publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi./Reporteri.net