Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se janë shqetësuese informacionet se grupet terroriste dhe paramilitare vazhdimisht po kryejnë përgatitje pranë kufirit me Kosovën, por që sipas tij Kosova ka kapacitete të përgatitjes dhe institucionet e vendit janë të gatshme në ruajtjen e rendit, ligjit dhe shtrirjen e sovranitetit.
Maqedonci ka thënë se vigjilenca e shtuar tek institucionet e Kosovës bën që grupet paramilitare dhe terroriste të jenë të “pasigurta” për ndonjë sulm të radhës.
“Është shqetësuese, mirëpo duhet të kemi parasysh se ne jemi të përgatitur dhe më të gatshëm se kurrë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi dhe rreziku për vendin tonë. Kjo u dëshmua edhe gjatë sulmit të 24 shtatorit. Por pas sulmit të 24 shtatorit, shtrirja e sovranitetit, rendit dhe ligjit, prezenca e Policisë së Kosovës në veri dhe vigjilenca e shtuar në institucionet e vendit e bën më të sigurt Kosovën. Dhe më të pasigurt e bën që grupet paramilitare e terroriste qëndrimin e këtyre grupeve dhe mundësinë që këto grupe të kenë sukses në ndonjë sulm të radhës. Pavarësisht krejt këtyre sfidave, institucionet e sigurisë janë të gatshme”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Ministri Maqedonci ka theksuar se para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, grupet e tilla paramilitare dhe terroriste më herët kanë penguar shtrirjen e plotë të sovranitetit dhe kanë frikësuar qytetarët e veriut të vendit.
“Për disa herë janë paraqitur fakte dhe informacione për organizimin e këtyre grupeve dhe vazhdimin e organizimit të grupeve kriminale brenda territorit të Serbisë, me synim për të kaluar në territorin të Kosovës. Për disa vite këto grupe kanë kontrolluar pjesën veriore të Kosovës, jo vetëm politikisht por edhe në aspekte të tjera si kriminalitete etj. Para gjithash kanë mbajtur të frikësuar qytetarët e vendit në veri, me qëllim pengimin e integrimit të tyre në strukturat dhe shoqëritë kosovare. Kanë penguar shtrirjen e sovranitetit, ligjit dhe rendit në pjesën veriore. Këto grupe vend që të ndëshkohen nga autoritetet serbe, ato mbështeten”, ka thënë ai.
Maqedonci ka shtuar se nga këto grupe edhe vetë Serbia është e rrezikuar nga cenimi i sigurisë.
“Vetë mosndëshkimi I tyre është cenim I sigurisë jo vetëm për Kosovën, por edhe vendet e tjera të Ballkanit, por edhe për vetë Serbinë. Prezenca e këtyre grupeve paramilitare të armatosura dhe të uniformuara dhe duke zhvilluar stërvitje dhe përgatitje në territorin e Serbisë, është cenim edhe për sigurinë e Serbisë. Serbia I vlerëson si struktura të veta dhe I mbështet. Mosndëshkimi I grupeve të tilla dhe janë të lira siguria dhe stabiliteti në vendin tone”, ka deklaruar më tej Maqedonci.