×
  • Lajme
  • Lajme / Takimet në Bruksel

    Marrëveshja për dinarin, Gërvalla: Serbia bërtet dhe po i vonon gjërat

    Reporteri
    25 Maj 2024 | 15:33

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz ka folur rreth çështjes së dinarit dhe takimet mes palës kosovare dhe serbe në Bruksel.

    Për të shtatën herë, takimi mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa një dakordësi për këtë çështje.

    Lidhur me këtë, Gërvalla thotë se Serbia po vonohet në këtë proces, dhe se nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’i lënë gjërat pas dore.

    Tutje Gërvalla shton se “nëse Serbia vazhdon t’i vonojë proceset në Bruksel, atëherë ne do të duhet të gjejmë forma të tjera se si të implementohen”

    Ne jemi ballafaquar në fillim kur Banka Qendrore e Kosovës nxori një rregullore të re, nga të gjitha anët jemi ballafaquar me kërkesën për ta trajtuar në mënyrë urgjente, për ta adresuar çështjen e implementimit të asaj rregulloreje në mënyrë urgjente. Siç e shihni, ne kemi disa herë që flasim rreth implementimit, pra jo rreth rregullores, jo rreth legjitimitetit të asaj rregulloreje, por rreth asaj se si dhe në çfarë periudhe do të mund ta implementonim atë rregullore në mënyrë të plotë. Rreth asaj kemi shkuar në Bruksel dhe kemi biseduar dhe me palën serbe, por si zakonisht, ndërkohë që Serbia bërtet që gjërat janë shumë urgjente, nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’i lënë gjërat pas dore edhe për t’i vonuar. Prandaj, ne vazhdojmë me implementimin e rregullores sepse rregullorja është e një institucioni të pavarur të Republikës edhe duhet implementuar në plotni. Nëse Serbia vazhdon t’i vonojë proceset në Bruksel, atëherë ne do të duhet të gjejmë forma të tjera se si të implementohen”, tha Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Ndryshe, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Miroslav Lajçak, janë takuar javën e shkuar ku kanë vazhduar diskutimet për atë që quhet “çështja e dinarit”.

    Ky ishte takimi i shtatë me radhë në kuadër të dialogut ku po trajtohet e vetmja temë – mënyrat e zbatimit të rregullores së BQK-së lidhur me pagesat me para të gatshme.

    Nga 1 shkurti sipas rregullores së BQK-s, e vetmja valutë për pagesë me para të gatshme është euro.

    Kjo rregullore ka shkaktuar tensione të reja në relacionin Kosovë-Serbi, por edhe ka hasur në kritika të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që ta shtyjë zbatimin e rregullores.

    Emisari evropian Miroslav Lajçak qysh në muajin mars ka prezantuar një zgjidhje kompormisi, e cila atëbotë ishte e pranueshme për palën kosovare.

    Nuk ka detaje rreth përmbajtjes së propozimit, por thuhet se i njëjti është akoma në tryezë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!