1521 persona kanë raportuar dhunë në familje në 6 mujorin e parë të 2024-ës. Prej tyre, 1198 gra e vajza dhe 323 burra e djem, sipas statistikat të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka nënvizuar se zyrtarët policorë që trajtojnë rastet e dhunës në familje, kryejnë trajnime shtesë.
Mirëpo zyra, në bashkëpunim me të cilën Policia trajton rastet e dhunës, ajo për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, nuk është në stadin më të mirë të saj.
Me një staf prej 23 personave, të shpërndarë në 7 regjione të Kosovës, po del të jetë e vështirë t’iu dalë në ndihmë viktimave që kërkojnë ndihmë në zyrat e tyre.
Tash, pas më shume gjashtë muajsh, u.d. menaxheri i zyrës për mbrojtje dhe ndihmë të viktimave, Burhan Maxhuni, ka deklaruar për Kiks Kosova se intensiteti i rasteve të raportuara është pothuajse i njëjti.
Sipas Maxhunit, deri në muajin maj, janë trajtuar 1066 raste të dhunës në familje, duke përfshirë të gjithë regjionet e vendit.
Pavarësisht numrit të madh të rasteve te raportuara dhe numrit të vogël të stafit, Maxhuni thotë që po tentojnë me të gjitha mundësitë që kanë që t’u ndihmojnë të gjithë atyre që kërkojnë ndihmë nga ta.
Një tjetër çështje është edhe alimentacioni, apo ndryshe ndihma financiare që njëri nga prindërit duhet të ofrojë për fëmijët.
Sipas menaxherit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, vetëm në vitin 2023, afër 300 mijë euro ishin zbatuar për dhënie të alimentacionit përmes zyrës që ai e menaxhon.
Sipas statistikave, edhe kërkesat për kompensim nga viti paraprak, arritën shumën prej afro 60 mijë euro.
Sipas Maxhunit, synimet e zyrës që menaxhon janë që të ofrojnë shërbime sa më të mira për të gjithë ata qytetarë që paraqiten aty për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje./