Me rastet e djeshme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri i rasteve aktive ka kaluar shifrën prej 10.000, saktësisht 10.191.
Ky është numri më i madh që nga fillimi i pandemisë.
Gjysma e rasteve aktive janë në Prishtinë, ku është kryer edhe numri, dukshëm më i madh i testimeve.
Dje, IKSHPK-ja njoftoi për 13 të vdekur e 963 raste të reja. Me këtë numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 27.851, kurse i të vdekurve si pasojë e koronavirusit në 797.
Ndërkohë, nga dje në orën 18:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-covid.
Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si: Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim: Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim: Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.