×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbrojtja nga koronavirusi: Infektologu kosovar tregon kur duhet të vendosni maskë

    Reporteri
    16 Mars 2020 | 15:24

    Virusi Covid-19, apo i njohur ndryshe si koronavirus, ka ngjallur panik tek qytetarët. Si masë e parë mbrojtëse që ata po përdorin, janë maskat kirurgjike. Infektologu kosovar, Isuf Dedushaj, ka shpjeguar për Express mënyrën e vendosjes së këtyre maskave, kush duhet t’i përdorë ato dhe sa është kohëzgjatja e efektit të këtyre maskave


    Deri më tani, në Kosovë janë shënuar 13 raste të personave të prekur me virusin Covid-19.

    Si pasojë e kësaj, janë izoluar qytetet nga të cilat vijnë të infektuarit, dhe është shpallur Emergjencë e Shëndetit Publik.

    Qeveria po ashtu ka marrë disa masa parandaluese për përhapjen e virusit, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha lokaleve apo vendeve ku ka frekuentim të madh të qytetarëve.

    E qytetarët si masë të parë të mbrojtjes nga virusi, po e shohin vendosjen e maskave.

    Megjithatë, infektologu kosovar, Isuf Dedushaj, thotë se jo të gjithë kanë nevojë të përdorin maska mbrojtëse.

    “Sa i përket maskave në situatën që jemi tash, maskat u vendosen pacientave të dyshimtë, që kanë kollë dhe simptoma dhe mund t’i infektojnë të tjerët përreth tyre. Maskat i vendosin vetëm punëtorët shëndetësorë që janë në vatër epidemike dhe që punojnë me pacientë, të gjithë punëtorët shëndetësorë e kanë obligim t’i vendosin maskat edhe kur nuk ka virus”, ka treguar Dedushaj për Express.

    Dedushaj ka treguar në detaje se si duhet të vendoset maska, sa ka efekt një maskë e si duhet të hiqet ajo pas përdorimit.

    “Për qytetarët që enden nëpër rrugë janë të panevojshme, munden efekt të mbrapshtë, sepse maskat që vendosen në parandalim të sëmundjes, para se të vendosen, duhet të pastrohen duart mirë dhe dë dezinfektohen me alkool e më pas të vendoset maska. Ajo mund të mbahet 2 deri në 6 orë maksimumi. Më pas, para se të hiqet maska, në qoftë se dikush ka dorëza, hiqen dorëzat, dezinfektohen ose pastrohen duart, dhe pastaj hiqet maska”, ka thënë Dedushaj.

    Infektologu ka theksuar se personat të cilët punojnë nëpër vende të cilt frekuentohen më shumë nga qytetarët, duhet të vendosin maska.

    “Për hir të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimit të sëmundjes, personat që punojnë në markete, arka, dhe kanë kontakt të afërt me konsumatorët, preferohet që t’i vendosin maskat dhe dorëzat, por, t’i ndjekin udhëzimeve paraprake”, ka deklaruar ai.

    Dedushaj thotë se në vendet e hapura, nuk ka nevojë të vendosen maskat.

    “Në vende të hapura, në natyrë nuk ka nevojë me i vendosë maskat. Personat që kanë temperaturë e që kolliten, kur e kanë maskën e vendosur i ndalin brenda spërkalat, më pas duhet me i largu me kujdes me i gjuajt në bërllog ose me i djegë ato maska. Maskat respiratore, me vrima anash, ato parandalojnë 100 për qind infeksionin, por edhe në këto raste procedura e vendosjes dhe e heqjes është e njëjta si te maskat kirurgjike apo të thjeshta”, ka theksuar Dedushaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!