×
  • Lajme
  • Lajme / Veprimet hetimore

    Mbyllja e institucioneve paralele në veri, Policia i fton për intervistim pesë përfaqësues serbë

    Reporteri
    03 Shtator 2024 | 20:56

    Policia e  Kosovës ka ftuar për intervistim pesë serbë përfaqësues të institucioneve paralele në komunën e Mitrovicës së Veriut, të cilat u mbyllën, raporton Gazeta Online Reporteri.

    Ftesën për intervistim për falsifikim dokumentesh e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

    “Pesë jemi të interesuar me i intervistu. Katërve ua kemi dorëzu ftesat, e njëri nuk ka qenë në Kosovë”, ka thënë ai.

    Mediat serbe në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për Milan Radojeviq, Igor Simiq, Ivan Zaporozhaq, Ivan Todosijeviq dhe Zoran Todiq.

    Serbët në Mitrovicë kanë protestuar për dy ditë rresht pas mbylljes së institucioneve paralele.

    Protestuesit, përfshirë punonjës të komunës paralele të Mitrovicës, thanë se tubimi i tyre është paqësor dhe përsëritën se administrata e kësaj komune, që Kosova e konsideron ilegale, ka ofruar shërbime për të gjithë qytetarët.

    Më 30 gusht, në një aksion në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe. Qeveria e Kosovës tha se institucionet e mbyllura kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Institucionet e mbyllura me 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!