Mediat në Bosnjë dhe Hercegovinë raportojnë se në Bijelinë të Republikës Serbe është arrestuar një person, i cili dyshohet se është i lidhur me rastin e vrasjes polici në Serbi dhe plagosjen rëndë të një tjetri.
Sipas këtij raportimi, arrestimi i tij është bërë në rrugën Raçanska në Bijelinë, e cila paraprakisht është bllokuar nga policia dhe po kontrollohet çdo lëvizje.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, masat e sigurisë janë shtuar për shkak të frikës se autori mund të kalojë kufirin, raportuan paraprakisht mediat boshnjake.
“Pjesëtarët e MPB-së së Republikës Serbe janë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tyre nga Serbia dhe po ndërmarrin një sërë masash në zonat që mbulohen operativisht nga njësitë policore të Zvornikut dhe Bijeljinës, me qëllim gjetjen dhe arrestimin e personit që ka kryer vrasjen, duke pasur parasysh afërsinë e kufirit të BeH-së dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në kërkim përveç policëve të këtyre dy zonave janë përfshirë edhe pjesëtarë të njësiteve të xhandarmërisë.
Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonën kufitare, që të lajmërojnë menjëherë policinë në nëse shohin një person nga fotografia e publikuar. /Reporteri.net/