×
  • Lajme
  • Lajme / Afera për rezerva shtetërore

    Ministrja Hajdari mohon akuzat ndaj zyrtarëve të MINT, akuzon Policinë se u paraqit pa certifikatë të sigurisë sekrete

    Reporteri
    18 Gusht 2023 | 18:32

    Ministrja Rozeta Hajdari, në një konferencë për media, ka deklaruar se beson në pafajësinë e zyrtarëve të MINT të arrestuar sot gjatë ditës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit me rezerva shtetërore.

    Hajdari ka hedhur akuza edhe në drejtim të njësisë së hetimit në Policinë e Kosovës e cila është marrë me rastin, duke thënë se kanë kërkuar prova sekrete pa prezantuar një certifikatë të sigurisë sekrete, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervave shtetërore, anipse jemi të bindur se furnizimi me rezerva shtetërore është në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi dhe planin përkatës të furnizimit me rezerva shtetërore”.

    Ndalohen për 48 orë Ridvan Muharremi e dy zyrtarët e MINT, këto janë veprat penale për të cilat dyshohen

    “Si ministre e MINT unë pres që organet e hetitmit të kenë vëmendje që krahas punës hetimore të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas ligjit për rezervën shtetëore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”.

    “Sepse, gjatë hetimeve, dokumentet që janë marrë si prova nga policia në MINT janë klasifikuar si sekrete shetërore, ndërsa policia e njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave, dokumenteve, ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka deklaruar ministrja.

    Kush i nxori mbrëmë informacionet konfidenciale lidhur me bastisjen e sotme për dallaveret me rezervat shtetërore?

    Tutje tha se furnizimi me mallra për rezervë shtetërore është kryer përkitazi me legjislacionin në fuqi.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i siguron të gjithë qytetarët se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore, me standarde dhe parametra të caktuara të cilësisë është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi, dhe nuk dyshojmë për asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndalur sot për 48 orë në polici”.

    Edhe pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministrja Rozeta Hajdari, tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita.

    “Unë nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e e them me përgjegjësi dhe siguri të plotë dhe nuk kam asnjë arsye ose dyshim tek zyrtarët që janë ndalur sot”, ka thënë Hajdari në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

    KDI: Arrestimet e sotme të personave të dyshuar janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë

    Megjithatë, ministrja ka pranuar se në porosi për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022, ka pasur vonesa në 3% të mallit.

    Për këtë, Hajdari theksoi tha se është inciuar edhe procedurë gjyqësore.

    “Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse do të kisha dashur të ndaj më shumë për ju, për shkak të ligjit mund të njoftoj se vetëm 3 për qind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa më 2022. Për të cilat vonesa më 8 qershor 2023 është njoftuar edhe avokatura shtetërore nga zëvendëssekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, ka deklaruar ministrja.

    Ajo foli edhe për disa palë të koordinuara, që tha se po keqinformojnë publikun, të cilët ka kërkuar që të hetohen po ashtu.

    “Për këtë çështje, për një kohë të gjatë, ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet e koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”.

    Haradinaj kërkon seancë të jashtëzakonshme për rrëzimin e qeverisë: Kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot Ridvan Muharremin, pronarin e restorantit “Bukë e Zemër”, pas bastisjes se banesës se tij dhe restorantit të tij, në Prishtinë.

    Ridvan Muharremi, i cili raportohet se është mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, dyshohet si sekser në keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

    Pos Muharremit, në aksionin e sotëm të Policisë dhe Prokurorisë, që u zhvillua edhe në MINT, nën pranga kanë rënë edhe dy zyrtarë të kësaj ministrie e cila drejtohet nga Rozeta Hajdari.

    Ky arrestim vjen pas publikimit të incizimeve rreth aferës vaji dhe grurit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!