×
  • Lajme
  • Lajme / Deklaratat

    “Mjaft manipulove”, deklarata e Kurtit se është rritur punësimi për 20% përplas Muratin dhe Bajramin

    Reporteri
    29 Gusht 2024 | 15:39

    Deklarata e Kryeministrit Kurti se në vitet e fundit është rritur punësimi për 20 për qind në Kosovë, ka shkaktuar përplasje mes Ministrit të Financave, Hekuran Muratit dhe deputetes nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajramit. Kjo e fundit në reagimin e saj sot tha se papunësia është ulur jo për arsye se ka lulëzu ekonomia, por sepse fuqia punëtore ka ikë nga Kosova, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “E di që e ke ushqim për militanta, por nuk u durova pa reagu. Gjithashtu e di që pak merr vesh nga ekonomia, por edhe këtu kemi të bëjmë më numra, e numrat kurqysh s’po qojnë të ”lulëzimi i punësimit” siç paske deklaru sot”, thuhet mes tjerash në reagimin e Bajramit ndaj Kryeministrit Kurti.

    Bajrami i reagon me shifra Kurtit: S’ka lulëzim të punësimit, e ke ushqim për militantë

    Ndaj asaj se çfarë ka thënë Bajrami, ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se me të dhënat që Bajrami ka ofruar ka “shpërfaqur mungesën e njohurive për temën në fjalë”.

    Sipas Muratit, edhe me shifrat e deputetes është konfirmuar ajo çfarë ka deklaruar Kryeministri sot në mëngjes.

    “Prandaj, edhe me shifrat e deputetes Bajrami, vetëm sa konfirmohet ajo çfarë ka thënë Kryeministri Kurti. Për fund, është për keqardhje që deputetë që mbulojnë fushën e ekonomisë, e madje edhe ligjërojnë në universitet, kanë njohuri kaq të cekëta për fushën”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Por, ndaj Muratit ka reaguar sërish deputetja e LDK-së.

    Bajrami ka publikuar disa të dhëna që thotë se janë vende pune të qëndrueshme e që për 12 muaj kanë paguar kontribute në Trust, e që siç thotë ajo janë të dhënat e vetme të sakta, të tjerat janë mashtrime.

    Madje ajo i është drejtuar Ministrit Murati duke i thënë se s’është përgjigjur në pyetjet që i kishte parashtruar Kurtit në postimin paraprak.

    “Mjaft manipulove minister”, përfundon postimin e saj deputetja e LDK-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!