Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë pas mesnate në Serbi. Ngjarja ka ndodhur në Loznica, afër kufirit me Bosnjën. Serbia pretendon se autori i vrasjes është një kosovar. Një kërkim masiv është duke vazhduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Policia Serbe ka shpallur në kërkim si të dyshuar për rastin, Artan Hajrizi, shtetas i Kosovës. Siç u bë e ditur në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit në të, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë me të njëjtin identitet.
Vet Artani ka mohuar se ka gisht në këtë rast. Ai ka thënë se ndodhet në Gjermani dhe se i janë vjedhur dokumentet personale.
Një kërkim i gjerë është duke u zhvilluar për kapjen e tij. Në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu, masat e sigurisë janë shtuar për shkak të frikës se autori mund të kalojë kufirin, raportojnë mediat boshnjake.
“Pjesëtarët e MPB-së së Republikës Serbe janë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tyre nga Serbia dhe po ndërmarrin një sërë masash në zonat që mbulohen operativisht nga njësitë policore të Zvornikut dhe Bijeljinës, me qëllim gjetjen dhe arrestimin e personit që ka kryer vrasjen, duke pasur parasysh afërsinë e kufirit të BeH-së dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në kërkim përveç policëve të këtyre dy zonave janë përfshirë edhe pjesëtarë të njësiteve të xhandarmërisë.
Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonën kufitare, që të lajmërojnë menjëherë policinë në nëse shohin një person nga fotografia e publikuar.
Banorët e Loznicës ku ka ndodhur rasti, kanë rrëfyer se çka panë.
Njëri nga ta tha se para shtëpisë ku ndodhën të shtënat, skena ishte e tmerrshme.
“Unë isha duke fjetur, ne u zgjuam papritur nga të shtënat. Por nuk ishte një apo dy, ishte shumë. Vrapova menjëherë në tarracë dhe pashë një polic që ishte strehuar pranë garazhit tonë. Ai po thërriste dikë. Ajo makinë ishte ndalur, shoferi ishte brenda dhe dera e pasagjerit ishte e hapur. Dola jashtë për ta ndihmuar, por nëna ime më ndaloi, më tha të mos dilja nga të shtënat dhe unë isha ende në gjendje shoku. Aty mbërriti policia rrugore, e cila nuk është larg nga këtu. Babai im zbriti për të ndihmuar. Më besoni, jam ende në shok, kam qenë shumë i frikësuar. Ju prisni të jeni të sigurt në shtëpinë tuaj dhe më pas diçka e tillë ndodh para shtëpisë tuaj”, tha ai.
“Ishte errësirë, nuk pamë njeri. U dëgjuan vetëm të shtëna. Polici i plagosur ka qëlluar sulmuesin, me sa di unë, dhe më pas ka ardhur për të kërkuar ndihmë. E pamë atë policin tjetër, ishte shtrirë, djali po nxirrte frymë. Nuk kishte shpëtim për të”, tha ky banor i Loznicës. /Reporteri.net/