×
  • Lajme
  • Lajme

    MSH: Rastet me COVID-19 po shtohen, vaksinohuni!

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 22:46

    Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dozën përfocuese kundër COVID-19.

    MSH-ja thotë se rritja progresive e rasteve me COVID-19 dhe prania e theksuar e variantit Omicron vë në pah rëndësinë e madhe që ka vaksinimi si mënyra më e thjeshtë për parandalimin e infeksioneve dhe mbrojtjen nga format e rënda të sëmundjes.

    “Vaksinohuni plotësisht, duke marrë edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19. Ju mund të vaksinoheni në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën qendër edhe me vaksinën kundër Gripit sezonal. Një rrugë e dy mundësi: Vaksinë kundër COVID-19 dhe vaksinë kundër Gripit sezonal! Mbroni veten dhe familjen tuaj”, ka përfunduar MSH-ja.

    Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të premten, më 14 janar, janë regjistruar 585 raste të reja me coronavirus, pas testimit të 6.589 mostrave.

    Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 8.87 për qind. Në 24 orët e fundit nuk janë regjistruar viktima.

    Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 57 persona janë shëruar derisa 3,339 persona janë ende aktivë në koronavirus.

    Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit. Prej tyre 2,994 persona kanë vdekur.

    Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër coronavirusit në mars të vitit të kaluar. Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!