12 kilometra larg qytetit të Vushtrrisë, banorët e fshatitë Shalë (Shallc) po e vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe kanalizimit.
Banorët pretendojnë se po detyrohen që ta braktisin fshatin pasi mungesa e ujit dhe e kanalizimit po ua vështirëson jetën.
Ekipi i gazetës online Reporteri.net ka qëndruar në këtë fshat, për të parë hallet e banorëve.
Ata thonë se ujin e pijes e marrin në bidonë nga Vushtrria.
Xhavit Sejdiu, banor i fshatit thotë se që nga paslufta nuk kanë pasur ujë.
“Prej mas luftës na nuk kemi pas ujë kurrë, as kanalizim. Me bidona bajna ujë. Zjarrëfikësat na bijnë ujin e lëshojmë në bunar, të nesrit nuk është asnjë pikë. Shtëpinë e kemi maru, por duhet me lënë në pranverë, haku i ujit. Duhet me lëshu katunin. Asfalltin që e kemi shtru e kemi pagu vetë.”, tha ai.
Sejdiu thotë se për problematikë është e njoftuar komuna, nga e cila sipas tij kanë marrë premtime, që nuk po realizohen.
Një tjetër banor thotë se nuk do ta votojnë më asnjë parti deri sa tu sigurohet uji i pijshëm.
Ndërsa kryetari i Komunës, Ferit Idrizi tha se është i njoftuar me problemin.
Ai tha se janë duke u montuar pompat, por nuk ka qenë në gjendje të thotë se kur do të furnizohen me ujë.