Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar për zhvillimet e mbrëmshme në Skenderaj, ku kreu i VV-së, Albin Kurti u prit me brohorima dhe gjuajtje me vezë nga disa qytetarë.
Mustafa ka kritikuar Kurtin duke shkruar se zgjedhjet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre dhe se partive nuk u ka hije të mbajnë zgjedhje të rrethuar me polici, e me njësi speciale.
Mustafa tutje ka shkruar se dhuna prodhon dhunë, dhe se zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje.
“Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhe nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!?
Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.
Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje.
Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar!”, ka shkruar ai.