×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Vendimin e Veselit e prita i relaksuar, partitë tjera le të marrin shembull

    Reporteri
    21 Qershor 2019 | 8:39

    Vendimi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për lirimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e kësaj partie që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë e ka prekur edhe Qemajl Mustafën.


    Mustafa që nuk kishte as dy muaj që u rizgjodh kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, ka thënë në Sytë 7 në Klan Kosova se e ka pritur mirë këtë vendim të kryetarit Kadri Veseli.

    “Unë e kam pritur këtë vendim në mënyrë jashtëzakonisht të relaksuar për shkak se një zhvillim i tillë duhej të ndodhte edhe më herët”.

    “E ka nisur kryetari i PDK-së Kadri Veseli që më ka ardhur jashtëzakonisht mirë sepse akti është simbolik, por vendimi është shumë i rëndësishëm”.

    “Mesazhi që përçon Kadri Veseli është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë e Kosovës sepse këtë model do të duhej ta merrnin edhe subjektet tjera politike. Mirë që ka nisur nga politika sepse politika është zoti i shtëpisë”.

    A kishte paraprakisht një takim me kryetarin e PDK-së ose zyrtarë të tjerë lidhur me këtë vendim?

    “Jo, nuk kemi pasë. Një ditë më herët jam njoftuar se një vendim i tillë mund të ndodhë ditën e nesërme. Më është dukur shumë e natyrshme dhe unë e kam mirëpritur”.

    Qemajl Mustafa bashkë me 38 persona të tjerë ngarkohen me vepra penale që lidhen me korrupsionin. Ata dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare lidhur me dhënien e tenderëve.

    Por, a beson vet Mustafa se ka korrupsion në Kosovë?

    “Gjithsesi që ka korrupsion për shkak se perceptimi, studimet dhe hulumtimet e organizatave kredibile ndërkombëtarë e thonë se në Kosovë ka shtrirje dhe thellim të korrupsionit”.

    “Prandaj, nëse ka duhet të fillohet të lirohet shoqëria e Kosovës prej një epidemie të tillë e cila ja pamundëson zhvillimin. Të rinjtë tanë në shumicë, qoftë për shkak të padrejtësive në trajtim tek punësimi, edukimi ose fusha të tjera, apo për shkak të trajtimit joadekuat nga punëdhënësit janë zhgënjyer nga ky vend”.

    “Takoj plot të rinj që shprehen ekstremisht keq për pozicionin që e kanë, realitetin e Kosovës deri te ajo që nuk e duan më këtë vend – kjo është zhgënjyese”.

    Mustafa ka treguar se kush e ka fajin për gjendjen në Kosovë.

    “Të gjitha të arriturat e mëdha, që ka shumë, i atribuohen PDK-së më së shumti. Shtetthemelimi, shtetndërtimi si dhe investimet e mëdha në infrastrukturë dhe të gjitha fushat i atribuohen PDK-së, por edhe të metat dhe ngecjet po ashtu”.

    “Edhe kjo gjendje në shumë i i atribuohet PDK-së. Megjithatë nuk është larg prej PDK-së secila parti tjetër që ka qeverisur Kosovën – LDK, AAK, AKR dhe Nisma – të gjitha janë fajtore”.

    A beson kryetari i PDK-së në largim i Gjilanit se PDK-ja do të penalizohet në vota pasi ky vendim i Kadri Veselit ka prekur disa nga figurat kyçe të kësaj partie?

    “Nuk e besoj sepse të gjithë ata mbeten pjesë e PDK-së. Me këtë vendim, Kadri Veseli nuk na e ka ndalur aktivitetin sepse ne jemi aktivistë të PDK-së, por me këtë vendim na është ndalë e drejta që të jemi udhëheqës në pozicione të caktuara”.

    “Ka ndodhur një pezullim i përkohshëm derisa gjykatat ta thonë vendimin e vet”.

    “Me këtë vendim as nuk pastrohet përfundimisht PDK-ja, por as nuk pastrohet shoqëria e Kosovës sepse është sfidë shumë më e madhe”.

    “Edhe në PDK sikur në të gjitha subjektet tjera ka njerëz që janë pak më shumë të inkriminuar, por që nuk kanë aktakuza. Në të njëjtë kohën kemi plot aktakuza të cilat po dalin që janë inskenime, politike ose janë bërë me qëllim të diskretimit”.

    Qemajl Mustafa është shprehur i bindur se aktakuza ndaj tij nuk qëndron.

    “Plotësisht. Ata njerëz me të cilët kam punuar janë zyrtarët më të mirë që ka pasë dhe ka Gjilani. Dikush qëllimshëm ka nisë hetime dhe ka ngritur aktakuzë për të na mbajtur peng”.

    “Të hënën ka filluar një proces gjyqësor, pas tre vjetësh, dhe janë planifikuar shtatë ditë seanca radhazi që të përshpejtohet procesi dhe të merret vendimi”.

    “Përfaqësuesi i aktakuzës – Prokurori i Shtetit – nuk vjen në seance dhe na e dështon këtë planifikim dhe tash seanca ka mbetur për datën 27”.

    “Qëllim i parë dhe i fundit i përfaqësuesit të aktakuzës është të na mbaje peng sa më gjatë që është e mundur. Është projeksion i dikujt që vjen nga qarqet politike”.

    Kur pritet që Qemajl Mustafa, pas këtij vendimi, të japë dorëheqje?

    “Nuk është zgjedhur kryesia ende, prandaj degës së PDK-së në Gjilan i duhet koordinim, Posa të zgjedhje kryesia, do të zgjedhim nënkryetarët dhe pastaj të shohim se kush do ta marrë postin”.

    “Me rëndësi është që të jemi unik, të koordinuar dhe të harmonizuar. Dega në Gjilan oas këtyre zgjedhjeve është plotësisht unike”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!