×
  • Lajme
  • Lajme / Zhvillimet e së enjtes

    Ndalimi arbitrar në kufij dhe presioni ndërkombëtar që çoi në lirimin e policëve kosovarë

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 8:54

    Gjatë së mërkurës së 17 prillit, autobusë nga Kosova u ndaluan përreth 20 orë nga policia serbe në kufirin Kroaci-Serbi, për t’u liruar më vonë pas marrjes në pyetje nga policia serbe. Përpos qytetarëve u ndaluan edhe pesë zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pjesëtarët e policisë  u ndaluan “në kalimet kufitare Merdare, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë”. Policët nuk ishin duke kryer detyra zyrtare.

    Institucionet e Kosovës reaguan duke e akuzuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes. Dy krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja dhe kryeministri, thanë se autoritetet serbe, po bëjnë “veprim hakmarrës”, pas votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Të enjten ndërkohë që Kurti e Osmanin kërkonin shtimin e trysnisë nga faktori ndërkombëtar, kryeministri Kurti nga mbledhja e Qeverisë bëri të ditur se katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdoi të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është dërguar për 48 orë në paraburgim në Serbi, për veprën “prishje e rendit kushtetues”.

    Edhe nga MPB-ja serbe thanë se Jankoviq është dërguar në mbajtje.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier  pas një takimi që pati me presidentes Osmani është shprehur SHBA-ja është e shqetësuar për atë se çfarë ka ndodhur dje në kufijtë serb.

    Ambasadori Hovenier theksoi në veçanti se është i shqetësuar për ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    “Rasti i fundit është shqetësues për ne, që po mbahet i ndaluar z.Jankoviq nga autoritetet serbe dhe jam në mënyrë të veçantë i shqetësuar për këtë çështje, se dikë për të cilin ne e njohëm për vite të tëra, dhe kemi ndihmuar në integrimin e komunitetet serb në Policinë e Kosovës, pavarësisht etnisë, dhe rolin e tyre të cilin e kanë luajtur dhe vazhdojnë ta luajnë në pjesën e Policisë së Kosovës. Jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar për ndalimin e z. Jankoviq”, tha Hovenier para gazetarëve.

    Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për ndalimin e Jankoviqit nga autoritetet serbe

    Një reagim të ashpër e pati edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

    Ai ka thënë se depërshkallëzimi duhet të ndodhë tani, derisa ka shtuar se veprimi i Serbisë është i papranueshëm dhe jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Rohde ka thënë se kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe se presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet.

    “Depërshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës, përfshirë serbë, nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm dhe sigurisht jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet”, shkroi Rohde.

    Për zhvillimet e të së mërkurës reagoi edhe Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

    DASH-i në një përgjigje ekskluzive për gazetën online Reporteri.net i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë, derisa ndalimet arbitratre që synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin.

    Lidhur me zëvendës drejtorin e Policisë së Kosovës nga DASH thanë të enjten se shpresojnë në lirimin e menjëhershëm të tij.

    “Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për situatën dhe ne po e monitorojmë atë nga afër. Të gjitha palët duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në lidhje me këdo të ndaluar, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë dhe respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe të procedojnë çdo rast sa më shpejt të jetë e mundur”.

    “Ndalimet arbitrare ose të padrejta të gjata, veçanërisht nëse synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin. Shpresojmë në lirimin e menjëhershëm të oficerit të Policisë së Kosovës, i cili është ende i ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Reporteri.net.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar se ajo që ndodhi të mërkurën shkelje e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, derisa i ka bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

    “Ritheksojmë se marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur si pjesë e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ofron parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe nga Serbia.
    Siç ka vënë në dukje edhe Bashkimi Evropian, vonesat si ato që ndodhën së fundmi paraqesin shkelje të kësaj marrëveshjeje. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e DASH ekskluzivisht për Reporteri.net.

    DASH thirrje autoriteteve serbe për transparencë: Arrestimi i policëve të Kosovës përshkallëzon situatën

    E në orët e mbrëmjes zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq është liruar nga autoritetet serbe. Lirimi i tij erdhi pak orë pasi Departamenti amerikan i Shtetit i tha Gazetës Online Reporteri.net që pret lirimin e menjëhershëm të Jankoviqit.

    Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

    Në një postim MPJD-ja ka njoftuar se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari e ka konfirmuar lirimin e Jankoviqit dhe nisjen e tij për Kosovë.

    “MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”, ka njoftuar Ministria.

    Më 14 prill, kujtojmë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq paralajmëroi se “çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë do të arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”.

    Vuçiqi e tha këtë paralajmërim duke folur për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit prej Zveçanit, më 13 prill nga Policia e Kosovës për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!