×
  • Lajme
  • Lajme

    Punëtori që vdiq në vendin e punës në Sllatinë, u varros në ditën që do të mbushte 38 vjet

    Reporteri
    01 Qershor 2019 | 19:44

    Një ditë para se të mbushte 38 vjet, Naim Emini vdiq në një aksident në vendin e tij të punës në Sllatinë të Fushë Kosovës.


    Të shtunën kur kishte ditëlindjen, Emini u varros në fshatin e tij, Sibovc i Poshtëm të Podujevës.

    Ai ishte i vetmi që punonte në një kompani ndërtimi për të mbajtur familjarët e tjerë.

    Familjarët kanë deklaruar prapa kamerës se i ndjeri punonte qe tre vjet, derisa kanë thënë se nuk e dinë nëse kishte kontratë pune.

    I tronditur nga ky rast, është shprehur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

    Sipas Azemit, shteti e ka për obligim që të kujdeset për familjet e personave që vdesin në vendin e punës.

    Ai ka shtuar se pasi institucionet nuk janë duke bërë një gjë të tillë, do të angazhohet që sindikata t’u dalë në ndihmë këtyre familjeve.

    Policia e ka cilësuar rastin si vdekje të dyshimtë. Sipas policisë, gjatë kohës sa ishte duke punuar, viktima dyshohet të ketë rënë nga rreth 5 metra lartësi.

    “Viktima mashkull N.E (1981), gjatë kohës kur ishte duke punuar, dyshohet të ketë rënë nga shkallët, nga një lartësi 4-5 metra dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti menjëherë është përcjellë në QKUK, ku nga ekipi mjekësor, është konstatuar vdekja e tij. Me rastin po merren policia dhe institucionet e tjera përkatëse”, ka thënë Policia e Kosovës.

    Sipas statistikave të Sindikatës së Sektorit Privat vetëm brenda 6 muajve të parë të këtij viti janë shënuar 10 raste të vdekjeve në vendin e punës.

    Në vitin 2018, janë shënuar 27 raste të tilla, shtatë më shumë se më 2017-n.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!