×
  • Lajme
  • Lajme / Formimi i institucioneve

    Në ora 10:00 tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    11 Maj 2025 | 8:17

    Të dielën do të bëhet përpjekja e 14 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë.

    Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

    Seanca konstituive do të vazhdojë në orën 10:00.

    Në seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë. Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

    PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

    Kreu i VV-së, Albin Kurti të shtunën tha se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar e kësaj partie për kryekuvendare.

    “Ne kemi të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe emëruar përfaqësuesit tanë, dhe këtë të drejtë po e ushtrojmë me përgjegjshmëri. Ne kemi kandidatin më të votuar për këtë post, Albulena Haxhiun, mbesën e heroit Ahmet Haxhiu, dhe nuk heqim dorë nga kjo kandidaturë”, tha Kurti.

    Ai tha se mund të bëjë kompromise për formimin e Qeverisë, por jo për konsituimin e Kuvendit, pasi siç pohoi ju takon të gjithëve.

    Për zgjidhjen e ngërçit institucional është kërkuar që presidentja Osmani të ndërhyjë duke ftuar partitë politike për takim konsultativ.

    Nga Presidenca gjatë javës kanë konfirmuar se Osmani do të kontaktojë “së shpejti” me partitë për një takim gjithëpërfshirës. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!