Takimin e kreut të AAK’së, Ramush Haradinajt, me emisarin amerikan Gabrier Escobar, duket se nuk e kanë pritur mirë në Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga kjo parti e kanë goditur Haradinajn, përmes deputetit Adnan Rrustemi, shkruan Reporteri.net
Rrustemi ka publikuar një fotografi të postimit të Haradinajt ku ai njofton për takimin me Escobarin, duke iu kapur në një fjalë që ka shkruar Haradinaj dhe duke e krahasuar me deklaratat e shefit të tij, Albin Kurtit.
“Amerika: Njohja reciproke në qendër të marrëveshjes. Albin Kurti: Njohja reciproke në qendër të marrëveshjes. Haradinaj: Jo në qendër, por në fund. Ja si kanë negociuar deri tani”, ka shkruar Rrustemi.
Ndryshe, Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Haradinaj ka thënë se me Escobarin kanë biseduar për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë.
Ai ka thënë se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Theksova se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj./Reporteri.net