×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Nga ky muaj, Qeveria rrit për 20% të gjitha pensionet e moshës

    Reporteri
    07 Tetor 2024 | 13:50

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga muaji tetor të gjitha pensionet e moshës të rriten për 20 për qind, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Ndërsa, nga janari rriten për 20% edhe pensionet tjera.

    Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Kurti tha se duke qenë se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet rritjes, atëherë edhe shteti ndodhet në “ujëra më të qeta” dhe se ndaj është marrë ky vendim për rritjen e të gjitha pensioneve.

    “Tani që situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet rritjes, mund të themi se po jetojmë në ujëra më të qeta. Duke filluar nga ky muaj, tetor, do të rrisim të gjitha pensionet për 20 për qind, përfshirë këtu pensionin bazik i moshës, pensionin kontribut pagues i plotë dhe parcial, atë të aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensionat për të verbërit, ai familjar, invalidor i punës dhe ai i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, tha Kurti në konferencë.

    Sipas këtij vendimi, pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për të tretë 256 euro dhe për të katërtën 318 euro.

    Kryeministri bëri të ditur se nga janari 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me Ligjin e kategorisë së Luftës.

    Te këto kategori që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, si dhe tek familjet e viktimave të të zhdukurve civile, do të rritet pensioni bazë për 50 për qind.

    “Ndërsa nga janari 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës”.

    “Te këto kategori që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur në 50 për qind pensiojnin bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet për 20 për qind siç ka qenë. E njëjta vlen edhe për familjet e viktimave e të zhdukurve civilë, ku për çdo viktime apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50 për qind të pensionit bazë”, tha Kurti në konferencë për media.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!