×
  • Lajme
  • Lajme

    Një përgjigje me mirësjellje dhe me të vërteta për Sekretarin e pasjellshëm të Ministrisë së Shëndetësisë

    Reporteri
    18 Prill 2020 | 13:32

    Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi na paska quajtur sot ‘gazetaruca’ dhe madje e paska kontestuar edhe patriotizmin tonë në luftë, si djem e çika të reja, një pjesë e madhe fëmijë.


    Në një postim të tij në Facebook ai ka shpërndarë një artikull të Reporterit që flet për historinë e tij në dy realitete, para 20 vjetësh kur ishte mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash si Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. “Historia interesante e Sekretarit të Ministrisë, Naim Bardiqi dikur mjek në UÇK tash menaxhon ardhjen e testeve nga Serbia” është titulli i artikullit tonë.

    Sekretari që është i paarritshëm në telefon, por ka një administrator të tij, paska shkruar për neve:

    “Ku mbeti kurajoja qytetare, dhe a thua sa duhet te kete njeriu gjakun e prishur te hamendesoje e paragjykoje si ne kete artikull…? Ne lufte, per te luftuar Serbine, me siguri se nga soji i tyre me eshte dashur te blija fisheke te sjellur nga Beogradi! Me poshte linku i turpshem mbi “profesionalizmin” e “gazetarucave”:”.

    I nderuar Sekretar, asnjëri nga ne në Reporteri nuk ta konteston patriotizmin dhe kontributin në luftë. Ndjehu rehat për këtë. Si djalë i shkolluar që je, dhe që jeta të ka vendosur në shumë sfida me gjasë, do të duhej të ishe në gjendje ta lexoje si duhet artikullin.

    Në artikullin e Reporterit, është prezantuar historia e juaj prej një ushtari dhe mjeku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe tash si Sekretar që duhet të pranojë e kërkojë siguri për nja 1000 teste për coronavirus nga Serbia.

    Dy gjëra duhet t’i dijë Sekretari në fjalë:

    Është fakt që ke qenë mjek në UÇK dhe është fakt që tash po kryen një detyrë, e cila përveç tjerash të sfidon edhe me një punë si kjo, të kërkosh siguri e të pranosh pajisje mjekësore nga Serbia, si donacion për Kosovën, për popullin e saj.

    Nëse kjo është e pavërtetë, na thuani.

    E vërteta tjetër është se artikulli i jonë për ty, i nderuar sekretar, nuk thotë askund se “keni qenë ju ai që keni marrë vendim, apo keni qenë pro sjelljes së këtyre testeve”.

    Se a keni bërë mirë, se a është dashur t’i pranoni ato teste, e dinë me mirë shefat e tu në Qeveri.

    Se a është dashur ju të kundërshtoni ta kryeni këtë detyrë, as këtë nuk po e themi. Historia jote është kjo.

    Sa i përket asaj se ku kemi qenë ne në luftë apo familjet tona, na lejo të te themi se na vjen keq për sjelljen tuaj. Sinqerisht na vjen keq. Asgjë më tepër. Se ku kemi qenë gjatë luftës, kur të përfundojë pandemia, eja në kafe e të tregojmë fije e për pe, secili nga ne në Reporteri. Nëse keni kohen, mund t’iu dërgojmë edhe në ato vende ku kemi qenë, që ndoshta do të te bënin të pendoheshit se çfarë keni thënë.

    Për fund, na fal që të paskemi bërë pak të rëndësishëm!

    Me respekt
    Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!