×
  • Lajme
  • Lajme

    Një shtëpi botuese “korrupton” mësimdhënësit e anglishtes me dhurata

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 16:27

    Mësimdhënësit e gjuhës angleze ndodhen në mes të procesit të përzgjedhjes së librave për vitin e ri shkollor. Dy libra të anglishtes nga dy shtëpi të ndryshme botuese janë në konkurrim. Mësuesit duhet të vendosin vetëm për njërin prej tyre deri më 15 korrik para se listat të dorëzohen në MASHTI. Por, njëri prej konkurrentëve ka nisur një fushatë me praktika të joshjes së mësimdhënësve në këmbim të përzgjedhjes së teksteve.

    Javën e kaluar ka nisur procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës angleze për klasat parafillore dhe klasat I deri në XII.

    Procesi parasheh që mësuesit e gjuhës angleze, sikurse të gjithë mësimdhënësit e tjerë, e kanë të drejtën e garantuar me ligj të përzgjedhjes së librave të gjuhës angleze për vitin e ri shkollor 2025-2026.

    Dy shtëpi botuese janë në konkurrim: Dukagjini si përfaqësues i autorizuar i korporatës britanike “Pearson” dhe Pema si përfaqësues i shtëpisë botuese me bazë në Greqi, “Hamilton House Publishers”.

    “Hamilton House Publishers” është një shtëpi botuese me bazë në qytetin Elliniko të Greqisë. Ajo, përmes distributorit të saj në Kosovë, botuesit Pema, u përzgjodh në gusht të vitit 2023 të jetë njëri nga dy furnizuesit me tekste shkollore të gjuhës angleze.

    Ligji për Tekstet Shkollore u garanton mësuesve të drejtën e përcaktimit për tekstet shkollore. Ata, duhet të vendosin mes dy konkurrentëve më së largu më 15 korrik, kur mbyllet afati i dorëzimit të listave.

    Listat me tekstet shkollore të përzgjedhura, mësuesit i dërgojnë në Drejtoritë Komunale të Arsimit, para se të njëjtat të transferohen në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e cila procedon me blerjen ose subvencionimin e tyre.

    Por, njëri prej konkurrentëve – shtëpia botuese “Hamilton House-Kosovë” – ka nisur një fushatë agresive ndaj mësuesve që të përzgjedhin tekstet e saj shkollore kundër konkurrentit të saj.

    “Hamilton House-Kosovë”, tash e gati një vit, ka përdorur praktika të dyshuara në kundërshtim me ligjin për përzgjedhjen e teksteve shkollore të saj, raporton Paparaci.

    Praktikat përfshijnë grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave personale të mësuesve të gjuhës angleze, praktikisht përzgjedhësve të teksteve shkollore, joshjen e tyre me dhurata dhe shpërblime të tjera.

    Institucionet e arsimit parauniversitar, sikurse edhe institucionet e tjera publike, mund të pranojnë donacione.

    Megjithatë, kur ato mund të përdoren për ndikim në ndërmarrjen institucionale dhe personave zyrtarë, në këtë rast mësuesve, mund të përbëjë shkelje.

    Me një kërkim të thjeshtë në platformën sociale “Facebook”, mund të gjenden dhjetëra njoftime të shkollave fillore të donacioneve të shtëpisë botuese Pema për mësimdhënësit e gjuhës angleze.

    Donacionet, në shumicën e rasteve, janë laptop për mësuesit në këmbim të përzgjedhjes së librave të saj. Kjo praktikë mund të përbëjë jo vetëm shkelje të ligjit të konkurrencës, por edhe elemente të konfliktit të interesit.

    Për shembull, vitin e kaluar, shtëpia botuese Pema i dërgoi një libër në formë të dhuratës në adresë personale një mësimdhënësi të gjuhës angleze.

    “Libër, dërgesë gratis Pema Hamilton”, shkruhet në përshkrimin e pakos.

    Paparaci raporton se Avdyl Orllati, një mësimdhënës tjetër i gjuhës angleze, postoi një rrjetet sociale një laptop që e mori dhuratë nga shtëpia botuese Pema.

    Praktikat e ndikimit tek arsimtarët apo shkollat për përjashtimin nga konkurrenca të një botuesi tjetër, dyshohet se përbëjnë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

    Neni 4, pika 1.1 dhe 1.3 e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalojnë veprimet që kufizojnë ose shtrembërojnë konkurrencën e ndershme. Elemente të këtij veprimi që shkel konkurrencën dyshohet se gjenden në rastin e donacioneve të Hamliton House-Kosovë, për mësimdhënësit dhe shkollat.

    Ndërsa, neni 11 i ligjit, ndalon praktikat e pandershme tregtare që përfshijnë përdorimin e favoreve, dhuratave dhe shpërblimeve në mënyrë që “të ndikojë padrejtësisht në vendimmarrje institucionale”.

    Ndonëse e dyshuar për përfshirje në shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore, shtëpia botuese Pema u bëri thirrje mësimdhënësve që të mos bien pre e “presionit” ndaj tyre në procesin e vendimmarrjes për tekstet shkollore.

    “Të dashur mësimdhënës, siç e dini, deri më 15 korrik do të përmbyllet procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore, datë kur DKA-të i çojnë listat në MASHTI. Disa shkolla e komuna tashmë e kanë përfunduar procesin burokratik të përzgjedhjes përmes aktiveve profesionale në kuadër të shkollave, por disa ende nuk i kanë përfunduar”, tha Pema në një njoftim të hënën më 7 korrik.

    Sipas kësaj shtëpie botuese, gjatë ditëve të procesit ka nisur një presion te mësimdhënësit për t’i përzgjedhur tekstet shkollore “ndryshe nga vullneti i tyre”.

    “Gjithsesi, fatkeqësisht, këto ditë njëjtë sikur vitin e kaluar, qarkullojnë shumë keqinformime, tendenca për deformime dhe presion te mësimdhënësit për t’i përzgjedhur tekstet shkollore ndryshe nga vullneti i tyre”.

    Pema, në njoftim tha se “tekstet e gjuhës angleze nga Hamilton House janë në përdorim në krejt Kosovën, do të përdoren edhe vitin e ardhshëm në të gjitha komunat papërjashtim, dhe janë të licensuara nga MASHTI sikur të gjitha tekstet shkollore tjera”.

    Vitin e kaluar, në total 210,292 tekste shkollore të gjuhës angleze u blenë nga MASHTI për nevoja të procesit mësimor në tërë vendin.

    Çmimi mesatar për një libër është rreth 13 euro. Blerja e tyre, Ministrisë i kushtoi 2.7 milionë euro.

    Botimet e Pearson, të distribuuara nga shtëpia botuese Dukagjini, u selektuan në 114 mijë kopje, ndërsa ato të Hamilton House në 95 mijë kopje.

    Shtëpitë botuese konkurrente në procesin e shpalljes për blerjen e librave të gjuhës angleze nga MASHTI nuk u janë përgjigjur pyetjeve të këtij mediumi. Përgjigje s’i ka kthyer as MASHT’i.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!