Pushteti aktual, veçanërisht AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe NISMA e Fatmir Limajt po kritikohen me të madhe për punësimet e familjarëve dhe militantëve të tyre në institucionet publike, ku po i rehatojnë duke ju mundësuar paga të mira mujore.
Sikur të mos ju mjaftonte kjo, zyrtarë të partisë së kryeministrit por edhe vet ai, kur po pyetën nga mediat për këtë çështje po tallen jo pak me qytetarët, transmeton Reporteri.net.
Për të treguar se një qytetarë jo partiak, në kuptimin që nuk është i lidhur me ndonjë nga partitë politike e ka thuajse të pamundur të punësohet në institucione të shtetit, në një mënyrë e tregoi hiç më pak se deputeti i AAK-së Shkumbin Demaliaj dhe atë për herë të dytë kur tha se do t’i punësonte vetëm njerëzit e partisë dhe asnjë njeri tjetër.
“Asnjë njeri përpos Aleancës nuk kisha pas qef me pa në punë në Kosovë, pse unë më ndihmu tjetër këndë që ma ka kundërshtu programin e Aleancës, unë i jap përparësi njerëzve të Aleancës”, deklaroi ai sot.
Kështu ai konfirmoi se si i zgjedhur i popullit nuk i mbron interesat e të gjithë qytetarëve, por vetëm një grupi të caktuar militantësh të partisë së tij që vrapojë për të në kohë zgjedhjesh t’ia bëjnë votat.
Për këtë deklaratë të Demaliajt është pyetur edhe kryeministri Haradinaj i cili e ka bashkëpartiak deputetin në fjalë.
Ndërsa Haradinaj tha se distancohet nga një deklaratë e tillë, në anën tjetër bëri humor në vend që të paralajmëroi bashkëpartiakun e tij se deklarata të tilla nuk guxon të bëhen.
“Distancohna prej kësaj, nuk mendoj se as Demaliaj mendon ashtu, as nuk mendon në këtë Kosovë normal ashtu në Kosovë të gjithë duhet me pasë punë, nuk mendon askush ashtu. Ndoshta ka pasë naj idhnim Demaliaj”, ka deklaruar Haradinaj.
Megjithatë duhet thënë se pavarësisht hidhërimeve të mundshme që mund t’i ketë në jetën personale, por jo vetëm Demaliaj, ai assesi si i zgjedhur i popullit nuk bën të jep deklarata të tilla skandaloze. /Reporteri.net/.