×
  • Lajme
  • Lajme / Kuvend

    Nuk kalojnë propozimet për tërheqje nga rendi i ditës të tri projektligjeve, opozita lëshon seancën

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 12:06

    Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë lëshuar sallën e Kuvendit, pasi projektligjet për Komisionin e Pavarur të Mediave, për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk morën shumicën për t’u tërhequr nga votimi.

    Pas votimit, deputetët opozitarë lëshuan sallën alternative ku po mbahet seanca e sotme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Partitë opozitare në seancën e sotme, ndër të tjera kanë kërkuar që të tërhiqet nga rendi i ditës projektligji për KPM-në. Nga LDK, PDK dhe AAK kanë thënë se kalimi i këtij projektligji mund t’i kushtojë Kosovës dhe perspektivës së saj evropiane.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha qeveria duhet të tërhiqet nga ky projektligj dhe ai duhet ti kthehet komisionit në mënyrë që të harmonizohet me rekomandimet e BE-së.

    “Cenimi i lirisë së mediave është një prej goditjeve më të mëdha që mund t’i bëjmë agjendës tonë evropiane dhe zhvillimit të brendshëm si shoqëri. Unë besoj që sot ju duhet të keni kurajon pas reagimit të djeshëm dhe për hir të agjendës tonë evropiane e perspektivës tonë që ky projektligj të tërhiqet. Duhet të ulemi dhe të gjejmë një frymë të përbashkët të komunikimit dhe në fundi mos të jetë diçka që do të na faturohet dhe nga raporti i BE-së për vendin. Është e palogjikshme që të vazhdojmë punën nëse këto tri kërkesa vazhdojnë të mos largohen nga rendi i ditës. Ju kërkojmë të reflektoni dhe pastaj ta vazhdojmë seancën”, tha Tahiri.

    Gjatë ditës, në një konferencë për media, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë kritikuar projektligjin për KPM-në duke bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga ky projektligj.

    Kusari tha se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.“ Kërkesa të njëjta pati edhe Rexha, i cili po ashtu ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit.

    “Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.

    “Kemi pritur një zë më të fuqishëm të opozitës, dhe presim që ata të reagojnë. Presim që t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore që i ka në dispozicion për ta kundërshtuar këtë projektligj për shkak të dëmit që po ia sjell Kosovës”, tha Rexha. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!