×
  • Lajme
  • Lajme

    “O a u vdekë bre, o ma mirë me vdekë edhe unë”, fjalët e të dyshuarit për aksidentin ku vdiq 19-vjeçari

    Reporteri
    05 Gusht 2022 | 21:27

    “O a u vdekë bre, o ma mirë me vdekë edhe uneee..” – kështu pyeste e lutej një i ri, i cili dyshohet se në orën e parë të së premtes shkaktoi një aksident në rrugën “Fahri Fazliu” në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, ku pësoi me jetë një 19-vjeçar.

    J.S. nuk u mbijetoi plagëve të mara nga makina, e cila e goditi atë teksa viktima ishte duke ecur trotuarit me një tjetër qytetar. Aksidenti, sipas dëshmitarëve, ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe të një veture, e cila goditi dy makina të parkuara në trotuar, të cilat goditën për vdekje këmbësorin, njofton Klan Kosova.

    “Kerri ka ardh prej poshti, edhe i ka goditë veturën e parë e të dytë, edhe ato janë kanë të parkume edhe e ka goditë edhe atë djalin e ri, fatkeqësisht ka ndërru jetë”, ka thënë një dëshmitar.

    I dyshuari për shkaktimin e aksidentit, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Por, fillimisht ai është trajtuar në emergjencën e QKUK-së, ku ka marrë trajtim për shkak të shokut traumatik që e ka pësuar nga ngjarja.

    Mjekja, e cila e ka trajtuar, Krenare Makolli tha se i dyshuari është pranuar në gjendje të rëndë psikike dhe është këshilluar policia që në rast se nuk i përmirësohet gjendja, të dërgohet në psikiatri.

    Banorët e lagjes “Kodra e Trimave”, të tronditur nga ngjarja, kritikuan komunën se nuk e ka bërë shenjëzimin horizontal e vertikal të rrugëve, e cila do të parandalonte aksidentet.

    Sipas tyre, shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/h, ndërsa vozitësit ngasin makinat mbi 100 km/h, për çka, sipas tyre, aksidentet këtu janë të shpeshta.

    Deputeti Mefail Bajqinovci, i cili është banor në këtë lagje, tha se aksidentet janë të shpeshta.

    “Këtu është gjendje e jashtëzakonshme. Nuk ka javë ose muaj që s’kemi aksidente”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!