×
  • Lajme
  • Lajme

    Operacioni “Qielli i thyer”, një muaj paraburgim ndaj 22 të dyshuarve për drogë

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 14:58

    Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj, 22 të dyshuarve për drogë në rastin “Qielli i Thyer”.

    Në lidhje me këtë, detaje ka dhënë Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media.

    “Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve në rastin “Qielli i Thyer”. Gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim 22 të pandehurve, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, shitblerje të narkotikëve dhe shpëlarje të parave”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
    Operacioni i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i quajtur “Qielli i Thyer”, ka përfunduar me 22 persona të arrestuar, nën dyshimin për përfshirje në trafikim ndërkombëtar me narkotikë dhe pastrim parash.

    Operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa në të kanë marrë pjesë rreth 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kanë realizuar bastisje në 47 lokacione të ndryshme.

    Sipas komunikatës së përbashkët të PSRK-së dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

    “Angazhimi dhe puna e koordinuar ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar” – thuhet në komunikatë.

    Prokuroria tha se personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Sipas PSRK-së, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.

    Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar sasi të mëdha të pasurisë dhe dëshmive materiale, përfshirë lëndë narkotike:

    29 vetura
    134,900 euro para të gatshme
    20,040 franga zvicerane
    490 dollarë
    13,000 euro para të falsifikuara
    9 orë dore luksoze
    36 armë të llojeve të ndryshme
    1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion
    një prese për paketim heroine dhe kokaine
    laptopë, telefona, USB dhe dokumente

    Dosja e Prokurorisë për 22 të arrestuarit në aksionin e madh – si bëhej trafikimi i drogës nga Amerika e Jugut, Irani e Turqia

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë 400 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.

    Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.

    “Ky është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që merren me trafikim ndërkombëtar, pastrim parash dhe forma të tjera të kriminalitetit” – thuhet në komunikatë.

    PSRK dhe Policia e Kosovës i kanë siguruar qytetarët se nuk do të ketë asnjë tolerancë për aktivitetet kriminale, duke riafirmuar përkushtimin për luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar.

    “Asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë” – përfundon komunikata e përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!