×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani ftohet nga Biden në Samitin e Dytë për Demokraci, do të jetë ndër folësit kryesorë

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 11:02
    Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.

    Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

    Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.

    Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

    Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

    Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!