×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani guvernatores së përgjithshme të Kanadasë: Synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE

    Reporteri
    24 Nëntor 2021 | 11:18

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar guvernatoren e përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon, e cila është kreu i shtetit të Kanadasë.

    Në një njoftim për media nga Zyra e Presidentit thuhet se në takim me guvernatoren Simon, Osmani e ka falënderuar për ndihmën e shtetit kanadez për Kosovën, duke shfaqur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet më tej.

    Osmani ka potencuar rolin e grave në vendimmarrje, duke e parë këtë si një parakusht esencial për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit.

    Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se Kanadaja mbetet një shembull i mirë, nga përvoja e të cilit mund të përfitojë edhe Kosova.

    “Të dy bashkëbisedueset kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të dyanshëm, ku kanë përmendur politikën e jashtme, mbrojtjen, shkëmbimin ekonomik, arsimin etj.”, thuhet në njoftim.

    E para e vendit ka potencuar se Kosova tashmë ka bërë hapa të ndjeshëm në ofrimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe të sigurt për investime të huaja, duke ftuar bizneset kanadeze për t`i eksploruar mundësitë që ofron Kosova, e cila dominohet nga shumica e popullatës së re.

    “Kurse sa i përket situatës aktuale në Kosovë, presidentja Osmani ritheksoi se synimi i vendit mbetet anëtarësimi në BE, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, për të cilën gjë tha se pret mbështetjen kanadeze”, është bërë e ditur në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

    Osmani tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të marrë fund me njohje të ndërsjellë.

    Ajo rishtazi ka përmendur retorikën kërcënuese të Serbisë dhe rritjen e ndikimit rus në rajon, si një kërcënim për destabilizim në këtë pjesë të Evropës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!