×
  • Lajme
  • Lajme / Ceremonia solemne

    Osmani kujton 23 policët e rënë në detyrë: Trimëria e tyre është frymëzim për të gjithë

    Reporteri
    06 Shtator 2024 | 12:47

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ku po mbahet një ceremoni qendrore, ka thënë se puna e tyre ka qenë mjaft e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.

    Po ashtu, presidentja ka deklaruar se Policia vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vend.

    “6 shtatori shënon një moment të rëndësishëm të Policisë sonë, një ditë që nuk është vetëm një festë e institucionit por nderim për sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë dhe sovraniteti tonë. Policia, gjatë këtij çerek-shekulli, vazhdon të jetë një nga institucionit më të besuara e të rëndësishme të shtetit tonë. Puna juaj ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi e qetësia”, ka theksuar Osmani.

    Ndër të tjerash, ajo ka përkujtuar edhe të gjithë policët e rënë në detyrë, me ç’rast ka përmendur edhe policin e rënë në Banjskë, Afrim Bunjakun, për të cilin tha se trimëria e tij është frymëzim për të gjithë.

    “Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës pa përmendur policët e rënë në detyrë. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është Afrim Bunjaku, trimëria e të cilëve na frymëzon të gjithëve. Ai bashkë me shumë të tjerë bëri sakrificën më te madhe për vendin tonë. Trashëgimia e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri jeton në vlerat që ju pjesëtarët e Policisë së Kosovës i bartni çdo ditë”, ka deklaruar ajo.

    Tutje, Osmani ka thënë se Policia e Kosovës duhet të vazhdojë zhvillimin për të qenë e gatshme për çdo situatë kërcënuese.

    “Në kohë krize edhe sfidash duhet të qëndroni të palëkundur, për sigurinë e shtetit tonë , të ndërtuar me aq mund e sakrificë”, ka shtuar Osmani.

    Policia e Kosovës po e shënon 25 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshme.

    Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitett të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!