Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në SHBA, ka thënë se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Kongresit amerikan.
Osmani këtë e ka thënë teksa ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me senatorin amerikan Andy Kim, zhvilluar në Washington D.C., ku të dy diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetje të fuqishme dhe të palëkundur nga Kongresi Amerikan.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan! 🇽🇰🇺🇸
Në Washington D.C., kisha kënaqësinë ta takoj Senatorin Andy Kim, për të diskutuar forcimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Amerikës në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe inovacionin”, shkroi Osmani.
Gjatë ditës, Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar se ka takuar zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau.
Ajo ka thënë se Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, siç ka shkruar, në përputhje me vizionin e fortë të presidentit Trump. /Reporteri.net/