×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani pas ftesës që mori nga Biden: Kemi demonstruar përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 12:47

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mirëpritur ftesën e presidentit amerikan, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci teksa ka theksuar se Kosova me angazhimet e saj ka demonstruar përkushtimin për forcimin e demokracisë.

    “E kënaqur për të pranuar ftesën e Biden për t’u bashkuar me liderët anembanë globit për edicionin e dytë të Samitit për Demokraci”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    E para e vendit ka thënë Kosova ka pasur momente të rëndësishme në angazhimet e saj në vitin e kaluar, duke demonstruar përkushtimin për forcimin e demokracisë dhe vlerave të përbashkëta me Amerikën.

    “Ne kemi arritur momente të rëndësishme në angazhimet tona në vitin e kaluar, duke demonstruar përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe vlerave tona të përbashkëta”, ka vijuar ajo.

    Gjatë ditës së sotme, presidenti amerikan, Joe Biden, e ka ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e dytë për Demokraci.

    Samiti do të mbahet më 29-30 mars në formatin virtual, me mbi 100 vende pjesëmarrëse.

    Ky samit është themeluar me iniciativë të presidentit Biden dhe edicioni i parë është mbajtur në dhjetor të vitit 2021.

    Kosova është ftuar edhe në herën e parë.

    Sipas Presidencës së Kosovës, Osmani është zgjedhur në mesin e dhjetë liderëve që të jenë folëse në seancën plenare, në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

    Në këtë takim, sikur edhe në të parin, do të diskutohet për rëndësinë e demokracisë dhe se si shtetet të adresojnë më së miri sfidat globale.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, pati thënë në samitin e parë se “bota është në vitet e para të një dekade vendimtare për të ardhmen kolektive”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!