Sot është Dita Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë.
Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë.
Osmani ka shtuar se duke mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Shefja e shtetit thotë se duke mbajtur arkivat e mbyllura pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura.
“Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, ka thënë Osmani.
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një debat të dedikuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
Ai ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.
Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.
“‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarë politikë të Millosheviqit në Beograd. Këtë javë pas shumë përpjekjeve kanë filluar përgatitjet për gërmime në Serbi, në Kozhle. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Andaj ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave në Serbi, në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj 2023. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, tha kreu i Qeverisë.
Kurti theksoi se Qeveria është e përkushtuar për të kërkuar drejtësi për viktimat.
“Si Qeveri ritheksojmë zotimin për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për viktimat, për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit. Kriminelët serb të luftës duhet të përballen me drejtësi, sepse këto krime sikur që nuk vjetërohen, as nuk falen”, tha Kurti. /Reporteri.net/