×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Serbia me përdhunime dëshiroi që dhimbja të ekzistonte me gjenerata

    Reporteri
    22 Prill 2024 | 17:48

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit në OKB, ka përmendur edhe historinë e Vasfije Krasniqit Goodman.

    Osmani para presidentit serb Alexandar Vuçiq ka treguar se Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhuna nga forcat e Sllobodan Millosheviqit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pjesa e fjalimit të Osmanit:

    Sot me mua është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhunua jo vetëm një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit. Ata donin ta shkatërronin dhe t’ia vrisnin shpresën. Për këtë arsye ata pamëshirshëm zgjodhën një prej mjeteve më të rënda të luftës – dhunimin. “Do të vuash më shumë nëse të lëmë të gjallë”, i thanë ata asaj, teksa u lutej që ta vrisnin.

    Ani pse ka jetuar në horror, Vasvija lulëzoi për të nisur me vrull misionin e saj për të rritur ndërgjegjësimin globalisht për krimin brutal të dhunës seksuale në luftë dhe për t’u bërë e dërguara ime speciale mbi dhunën seksuale gjatë luftës. Sot, ajo punon ngushtë me partnerët në Ukrainë, Lindje të Mesme, kontinentin afrikan dhe gjetkë, duke ndarë ekspertizën e saj mbi qasjet më të përshtatshme për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo është e përkushtuar që të jetë afër të mbijetuarve në mbarë botën dhe është shndërruar në zërin e tyre derisa të vijë koha që ata të flasin vetë. Në këtë mision fisnik, asaj i bashkohet edhe Shyretja jonë.

    Shyrete Tahiri Sulimani, e cila është gjithashtu pjesë e delegacionit tim sot, është gjithashtu një nga mijëra të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Në vitin 1999, edhe ajo ishte shënjesëtr e këtij krimi më çnjerëzor të luftës. Ajo u përdhunua në sy të vajzave të saja të vogla, përkatësisht tre dhe një vjeç. Forcat e Millosheviqit I kryen këto akte mizore në sytë e fëmijëve të vegjël sepse donin të siguroheshin që lëndimi dhe dhimbja të përfshijë gjenerata – donin të vrisnin shpirtin e një populli që gjithmonë ngrihej për paqen, lirinë dhe demokracinë. Megjithatë, ata dështuan.

    Teksa Vasfija, Shyretja dhe vajzat e saj ende përballen me traumën e luftës, ato janë të palëkundura në angazhimin e tyre për të mos lënë gur pa lëvizur për t’u siguruar që të tjerët të mos e përjetojnë kurrë atë që përjetuan dhe që drejtësia të vihet në vend. Ato kanë zgjedhur veprimin në vend të dëshpërimit. Kanë zgjedhur të flasin, të avokojnë kundër stigmës, duke mbledhur një shtet të tërë rreth kauzës së tyre dhe duke punuar pa u lodhur jo vetëm drejt ndjekjes së drejtësisë, por edhe për të përforcuar zërat e të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë dhe kudo. Çdo ditë jemi dëshmitarë të qëndresës dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme të grave kosovare që refuzuan të heshtin për tmerret që përjetuan. Lufta e tyre kundër stigmës dhe misioni i tyre për drejtësi janë shembullore.

    Do të vazhdoj të përsëris se mbajtja e autorëve përgjegjës për këto akte të tmerrshme është në përgjegjësinë tone morale. Mirëpo numri i rasteve kur Serbia ka vendosur prapa grilave autorët e përdhunimit gjatë kohës së luftës është zero. Për shkak të kësaj lufte të neveritshme, pothuajse në çdo cep të vendit tim do të përballeni ende me shumë nuance të pasojave të luftës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!