Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Pragë të Republikës Çeke, ku do të marrë pjesë në forumin global të sigurisë GLOBSEC 2024, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Zyra e Presidencës njofton se Osmani do t’i drejtohet audiencës ndërkombëtare në një diskutim mbi perspektivën e Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike, gjersa do të realizojë edhe takime të tjera bilaterale.
Presidentja Osmani do të jetë në mesin e liderëve global të cilët do të mblidhen në Pragë me qëllim të diskutimit të sfidave të ndryshme gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit në tejkalimin e tyre.
Forumi vjetor GLOBSEC, më i madhi në Evropën Qendrore, pritet të mbledh për tri ditë rresht, nga 30 gushti deri më 1 shtator, dhjetëra udhëheqës politikë dhe ekspertë do të diskutojnë çështje kritike për sigurinë, mbrojtjen, zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe për luftërat në Ukrainë dhe Gazë.
Pjesëmarrjen këtë vit e kanë konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë të angazhuar në këtë rajon.
Kjo është hera e parë që forumi mbahet në Pragë pasi për 18 vjet rresht është mbajtur në Bratislavë. Por, tani ka zëra që forumi nuk është më i mirëpritur në vendlindje.