Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend.
Ajo falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për shtimin e trupabe të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit.
“Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj.
Ajo potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n “fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë”.
Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.