Pa tender të hapur, Ministria e Arsimit i jep 3.5 milionë Euro kompanisë së Ekrem Llukës, i afërt me partinë e Kurtit

Pa tender të hapur Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ia ka dhënë 3.5 milionë kompanisë “Dukagjini” e cila është në pronësi të biznesmenit pejan Ekrem Lluka.


Ky tender vetëm është negociuar, por për të nuk ka pasur njoftim. Tenderi ka të bëjë me furnizimin me libra parauniversitare.

Reklamë

Në njoftimin për dhënie të kontratës të MASHTI-t që është publikuar në eprokurimi thuhet se vlera e këtij tenderi është 4,8 milionë, i cili është i ndarë në disa lote, e ku nga kjo shumë 3,5 milionë euro i janë dhënë kompanisë së biznesmenit Lluka, deri sa pjesa tjetër prej rreth 1,3 milionësh iu është dhënë katër kompanive tjera, shkruan Reporteri.net.

Për lotin I të këtij tenderi për kontratë është rekomanduar kompania “Libri Shkollor”, vlera financiare e këtij loti është 878,328 euro.

Për lotin II për kontratë është rekomanduar kompania “Dukagjini”, ku vlera e këtij loti është 3.544.912 euro.

Për lotin e III-të për kontratë është rekomanduar kompania “Albas”, ku vlera e këtij loti është 357,446 euro.

Gjithnjë bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës shihet se për lotin e IV-të për kontratë është rekomanduar kompania “Botime Pegi”, e ku vlera financiare e këtij loti është 35 mijë euro si dhe për lotin V për kontratë është rekomanduar “Shukri Klinaku” me 9 040 euro.

Kujtojmë që në zgjedhjet e kaluara nacionale, Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar biznesmenin Lluka se i ka ofruar interesat me Vetëvendosjen.

Lluka më herët është përfolur si biznesmen i PDK-së.