×
  • Lajme
  • Pa kategori

    KFOR dhe EULEX ishin prezentë kur u gjet sasia e madhe e armatimit në veri

    Reporteri
    24 Qershor 2023 | 21:10

    Sot, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë u ekspozua armatimi, i cili është konfiskuar mbrëmë në një veturë me targa të Beogradit në Zveçan.

    Siç u bë e ditur brenda veturës  me targa të Beogradit janë gjetur armatime të ndryshme, mjete shpërthyese si dhe radiolidhje me numër brenda saj, veshje ushtarake dhe 19 emblema të Severna të Brigadës.

    E KFOR-i bashkë me EULEX-in ishin në vendngjarje kur policia gjeti makinën me plot armatim.

    Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se pjesa dërrmuese e armatimit dhe mjeteve shpërthyese janë prodhim i Serbisë.

    “Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021. Dhe nga ekzaminimi preliminar të ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më datë 29 maj, në protestën e dhunshme në Zveçan”, tha Hoxha.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtoi gishtin kah Serbia, teksa i ka bërë që të heqë dorë nga tentativat për eskalim në Kosovë.

    Ai ka thirrur edhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë kundër veprimeve të Serbisë.

    “I bëjmë thirrje Beogradit të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë,. I bëjmë thirrje faktorin ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënoj sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës. Qytetarëve u bëjmë thirrje të informohen nga kanalet zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave”, ka thënë ai në konferencën e jashtëzakonshme për media pas gjetjes së një sasie të madhe armatimi në Zveçan një ditë më parë.

    Sveçla ka deklaruar se do të kërkojë që organizatat “Severna Brigada” dhe “Mbrojtja Civile” do të shpallen terroriste.

    “Ditëve në vijim do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste dhe lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha Sveçla sot.

    Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  tha se sasia e madhe e armatimit tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara, shkruan gazeta Online Reporteri.net.

    “Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Tutje, ai tha se Serbia është qartazi e pozicionuar për përshkallëzim të situatës.

    Ndërkaq tha se Serbia përveç aksionit për kidnapimin e policëve, luftimin e rendit juridik e kushtetues të Kosovës e ka çuar një hap para me organizimin e sulmeve terroriste.

    “Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.”, tha ai.

    Shefi i ekzekutivit u shpreh falënderues ndaj Policisë së Kosovës dhe Agjencise së Kosovës për Intelegjencë për parandalimin e krimit dhe terrorizmit në Zveçan.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!