×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Musliu e PDK-së: Albin i quaje tradhtarë ata që dialogonin me Serbinë, tash a je edhe ti tradhtar?

    Reporteri
    11 Qershor 2021 | 17:19

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se debati i thirrur sot për dialogun është tentativë e Albin Kurtit për të mbuluar veprimet që janë në kundërshtim me kauzat e tij të dikurshme.


    “Ky debat i thirrur sot nuk nënkupton asgjë tjetër përveç një tentativë të Albin Kurtit për të mbuluar veprimet e tij të cilat janë komplet në kundërshtim me kauzat e tij të rrejshme, propagandën shumëvjeçare dhe premtimet e tij elektorale. Albin Kurti, kudo që je, ti me vjet tëra ke vjellë vrer mbi secilin dialogues. Të gjithë e dimë se në këtë kontekst nuk e respektove asnjë normë, as institucionale dhe etike. Nuk hezitove të kontestoje çdo vlerë njerëzore dhe kombëtare të secilit që merrte pjesë në bisedimet me Serbinë. Në shumë raste nuk hezitove të deformosh edhe faktet rreth kësaj teme, për të vetmen arsye për ta mbajtur të ndezur urrejtjen e adhuruesve ndaj oponentëve politikë”.

    Musliu ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 15 qershor ani pse dikur si opozitar deklaronte se nuk do ta bënte një gjë të tillë pa kërkuar falje Serbia.

    “Për të marrë primatin e “Shpëtimtarit të Kombit” me qindra herë ke deklaruar se nuk do të ulesh kurrë përballë Vuçiqit para se Serbia të kërkojë falje për gjenocidin që ushtroi ndaj popullit shqiptar të Kosovës,. Sot kemi datë konkrete kur do t’i ulesh përballë Aleksandar Vuçiqit, në ndërkohë që Serbia jo që s’ka kërkuar falje, por ka intensifikuar fushatën kundër Pavarësisë së vendit tonë. Albin për ta marrë pushtetin krijove kauza dhe standarde me të cilat padyshim do të përballesh vetë për aq kohë sa do të jesh në krye të Qeverisë. Je shumë gabim nëse mendon që mund t’i zhbësh kundërshtimet e tua të vazhdueshme si politikan opozitar”.

    “Ke fshirë qindra e mijëra mesazhe e statuse në Facebook tëndin, por nuk mund ta fshih memorien institucionale të Kosovës. Ti i quaje tradhtarë të gjithë ata që pranonin të dialogun me Serbinë. Më 15 qershor ti Albin do ta bësh të njëjtën gjë, a je edhe ti tradhtar? Zajednica jote e dikurshme papritmas është shndërruar në Asociacion, kush pësoi transformim më të shpejtë – ti apo Zajednica? Si mund të kërkosh sot unitet politik kur për dy dekada rresht mbjelle urrejtje – a e cilëson veten si politikan dyfytrësh?”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!