×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Shkarkohet sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, i afërm me djalin e Isa Mustafës

    Reporteri
    01 Mars 2021 | 11:01

    Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi është shkarkuar sot nga detyra.


    I emëruar në këtë pozitë më 20 shkurt të vitit të kaluar, Bytyqi është shkarkuar sot me vendim të ministrit Arban Abrashi.

    Reporteri.net ka siguruar vendimin për shkarkimin nga pozita të sekretarit të MI-së, të cilin e ka nënshkruar ministri Abrashi.

     

    Bazuar në vendim, ministri Abrashi ka obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që sekretari i shkarkuar të sistemohet në pozitën “drejtor departamenti” në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

    “Obligohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, që të bëjë sistemimin e z. Bytyqi në pozitën Drejtor i Departamentit në bazë të Rregullores (QRK) nr. 16/2015 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistemimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Infrastrukturës”, thekson pika 2 e vendimit.

    Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, thotë një pikë tjetër e dokumentit të nënshkruar nga ministri.

    Izedin Bytyqi është i afërt me Besnik Mustafën, djalin e Isa Mustafës, kryetarit në largim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Para se të emërohej sekretar në MI, Bytyqi ka mbajtur pozitën e njëjtë edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.

    Asokohe, si sekretar në Ministrinë e Punës, Bytyqi dyshohet se nga kjo pozitë kishte ndikuar në punësimin e resë së Isa Mustafës.

    Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.

    Angazhimin e resë së ish-kryeministrit e pati konfirmuar po Izedin Bytyçi, ish-sekretari në MPMS, në vitin 2017.

    Ai pati thënë se Bajrami ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Europian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!