Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e fundit të Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 10-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2022-2024, një koncept dokument si dhe vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.


Pika e parë që është miratuar nga kabineti qeveritar ishte Rregullorja për Përcaktimin e Procedurës për Pranimin dhe Trajtimin e Rasteve të Sinjalizimit, e cila ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e zyrtarit përgjegjës.

Kjo rregullore është në përputhshmëri me direktivën (BE) 2019/1937 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit e datës 23 tetor 2019 mbi mbrojtjen e personave të cilët raportojnë shkeljet e të drejtës së BE-së. Kjo rregullore zbatohet për të gjithë personat në kontekst të marrëdhënies së punës si dhe për institucionet publike.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndarjen dhe alokimin e mjeteve financiare për furnizimin me barna nga lista esenciale në vlerë prej 6,800,000.00 € (gjashtë milionë e tetëqind mijë euro), në Ministrinë e Shëndetësisë, në nën programin Shërbimet Përkatëse Farmaceutike, në kategorinë e shpenzimeve mallra dhe shërbime. Mjetet ndahen nga programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nga kategoria e shpenzimeve subvencione dhe transfere.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Raportin Tremujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për periudhën 1 janar-31 mars 2021, i cili përmban një përmbledhje të trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së tremujorit të parë të vitit 2021. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 gjithsej pranimet ishin në shumë prej 523.94 milionë euro dhe paraqesin 21% të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ndërsa krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak ka rritje prej 30%.

Ndërkaq, sa u përket shpenzimeve, gjatë tremujorit të vitit 2021, pagesat arritën shumën prej 520.25 milionë euro dhe paraqesin 20% të planit vjetor për shpenzime, ndërsa krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak ka rritje prej 121.21 milionë euro ose 30%.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2022-2024, në të cilin pasqyrohen zhvillimet e fundit në parametrat e borxhit shtetëror, vlerësohen rreziqet kryesore që ndërlidhen me borxhin shtetëror dhe përcaktohen objektivat afatmesme të menaxhimit të borxhit shtetëror. Portofoli aktual i borxhit shtetëror i Republikës së Kosovës përbëhet nga borxhi ndërkombëtar, borxhi i brendshëm dhe garancitë shtetërore. Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka një nivel relativisht të ulët të borxhit shtetëror, që përbën 21.83 për qind të BPV-së. Objektiva kryesore e Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e borxhit shtetëror është financimi i deficitit buxhetor me kosto sa më të ulët të mundshme, me një nivel të pranueshëm të ekspozimit ndaj rreziqeve financiare.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2022-2024, i cili paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti vjetor për vitin 2022. Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë. KASH 2022-2024 është strukturuar në katër pjesë kryesore. Pjesa e parë përmban Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme; pjesa e dytë është Korniza Makro-fiskale, dhe në pjesën e tretë dhe të katërt janë paraqitur Parashikimet Fiskale të cilat përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm të shpenzimeve mbi bazën e të cilave përgatitet më vonë Buxheti Qendror dhe ai Komunal.

Me propozim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Koncept-dokumentin për Fushën e Pronësisë Industriale, i cili ka për qëllim të trajtojë të drejtat e pronësisë industriale në fushën e patentave, markave tregtare, dizajnëve industrialë dhe topografive të produkteve gjysmëpërçues.

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria ka marrë vendim për metodën e pagesës direkte në formë të avansit tek UNOPS në emër dhe për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe regjistrimi kontabël në SIMFK në kodin përkatës të avansit për pagesa direkte të huamarrjes në vlerë prej 1,548,858.20 € (1 milionë e pesëqind e dyzet e tetëmijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzet cent), në bazë të marrëveshjes të datës 1 prill 2021 në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNOPS për prokurimin e aktiviteteve të përcaktuara me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë për Kredi ndërmjet Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës (BZHKE)- Instrumenti për Financim të Sektorit Publik për Reagim Emergjent ndaj COVID-19, si dhe bazuar në Marrëveshjen në mes të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për shërbime të projekteve (UNOPS) datë 1.4 2021.