×
  • Lajme
  • Botë

    Paralajmërimet për luftë, çka qëndron në thelb të tyre?

    Reporteri
    29 Shtator 2022 | 11:10
    Ligjëruesi universitar, Durim Abdullahu dhe filozofi Dragan Bursaç

    Autor: Xhezair Dashi


    Se Serbia më s’është ajo e 90’ës, kujdeset pothuajse çdo herë të rithkesojë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe këtë referuar trendit në rritje të armatimit të ushtrisë serbe.

    Se pse dhe në kundërpërgjigje të çka’së armatohet Serbia, shpjegimet janë kryesisht lakonike dhe me fraza të “vetëmbrojtjes dhe vetëruajtjes”, por se ka nga kush e nga çka, përgjigjet mungojnë.

    Në një adresim pak para 31 korrikut, fjalimi i Vuçiç i ngjasoi preludit të “betejave të armatosura” të asaj në Gazimestan të Slobodan Millosheviçit. Nuk u desh të kalojë shumë kohë nga ky adresim, që vartësi prej më besnikëve të tij, Vladimir Gjukanoviç, ta mbush mish skeleturën diskursive të luftës nga Vuçiç.

    “Mua më duket se Serbia do të detyrohet (shtrëngohet) të denazifikojë Ballkanin”, u shpreh ai, duke miratuar kështu fjalorin eksplicit të Kremlinit.

    Kohëve të fundit, se gjasat që të ketë luftë në Ballkan janë më të mëdha se gjasat që të mos ketë, dhe që këto gjasa kanë të ngjarë të vinë nga fqiu verior i Kosovës, i ka artikuluar edhe kryeministri, Albin Kurti.

    Në një bisedë zhvilluar nga gazeta online Reporteri me historianin dhe njohësin e çështjeve politiko-ushtarake, Durim Abdullahun, si dhe filozofin dhe publicistin boshnjak nga Banja Lluka, Dragan Bursaç, këta dy të fundit elaborojnë rrezikun potencial pesha e tërheqjes e të cilës qendërzohet në politikat e Beogradit.

    Paralajmërimet e kryeministrit, Abdullahu i shpjegon si “diskurs më shumë paralajmërues dhe herë-herë alarmues”, që, sipas tij, “më shumë i drejtohen bashkësisë ndërkombëtare”.

    Nuk është e rastësishme, shpjegon ai, që “deklaratat [Albin Kurti] ka zgjedhur t’i bëjë në intervista për media ndërkombëtare”.

    Filozofi boshnjak, Dragan Bursaç, është i së njëjtës mendje në të qënit i shqetësuar me situatën. “Objektivisht, situata është skajshmërisht e pafavorshme për paqen”.

    Veçanërisht, thotë ai, “kur e dimë se në krye të Serbisë është dishepulli i [Vojisllav] Sheshelit, [Aleksandar] Vuçiç”.

    Serbia e një njeriu

    Arkitekti i ligjeve më cenzuruese mediale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ish-ministri i propagandës në qeverinë serbe 98-99, Aleksandar Vuçiç, u rizgjodh president (2022-2026), dhe atë me rezultat pakontestueshmërisht më të lartë se sfiduesit e tij marrë bashkërisht.

    “[Aleksandar] Vuçiç sapo ka nisur mandatit e tij të fundit në krye të Serbisë gjatë të cilit do t’i përmbyllë politikat e tij, dhe meqë ai është një politikan tradicional serb që ka ndjekur shkollën e [Sllobodan] Millosheviçit për politikbërje, Serbia ka arritur në një fazë ku i duhet një luftë për të kaluar në fazën tjetër”, thotë Durim Abdullahu për Reporteri.net.

    Megjithëkëtë, në situatën dhe rrethanat aktuale gjeopolitike, Abdullahu mendon se “një e luftë e re do të ishte katastrofale për Serbinë”.

    Serbia, marrë në vete, sipas filozofit Bursaç, “nuk është as logjistikisht as ushtarakisht e përgatitur për këso skenaresh”.

    “Por, Serbia me Rusinë, janë”. Dhe, këtu buron “rreziku për tërë Ballkanin”, thotë Bursaç.

    Dragan Bursaç, njëmendje me Durim Abudallahun, vëmendjen e tërheqin në politikën serbe.

    “Agjë e mirë nuk mund të pritet”, vazhdon të elaborojë Dragan Bursaç, nga një Serbi “me kaq shumë Putinofili, me vullnetarë që shkojnë të luftojnë në Ukrainë në anën ruse, me një opozitë e cila ideologjikisht është më radikale se Vuçiç, me këtë lloj Serbie ku Kisha Ortodokse Serbe dhe kulti i shenjtorve mbretëron”.

    Edhe Abdullahu nuk e sheh Aleksandër Vuçiç të zhveshur nga e kaluara e tij politike radikale dhe si pjesëtar i qeverisë së Slobodan Millosheviçit. Potencialin për ndonjë përshkallëzim, ai nuk e sheh “vetëm në rrafshin diskursiv”.

    “Serbia ka vite që është e gatshme të ndezë luftë ose konflikt të armatosur në fqinjësi, sidomos në Bosnje dhe Kosovë. Gjendja e re e sigurisë me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, e bën shumë të përshtatshëm klimën gjeopolitike për Serbinë që të nisë një luftë”, thotë Abdullahu.

    Ariu rus i kamofluar në humanitar

    Me mbi 40 baza ushtarake matanë kufirit me Kosovën, dhe me një qendër të ashtuquajtur humanitare ruse, për të cilën ekziston konsensus perëndimor për rolin e saj në gjenerimin e luftërave hibride, implozioni rus është aty.

    “Për të gjithë është e qartë”, thotë Bursaç, se kjo e kështuquajtur “qendër humanitare ruse” është “qendër e luftës hibride në Ballkan, me prirje për t’u bërë edhe qendër logjistike ushtarake e Rusisë”.

    Në rast se Rusia arrin ta bëjë këtë gjë, për Bursaç është e qartë se “Rusia dhe Serbia do të zhvillojnë apetitet e vjetra për luftëra e pushtime”, e në veçanti, “të Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi”.

    “Deri në këtë moment, mos harroni, se së bashku me Bjellorusinë, Serbia është e vetmja që mbështet agresionin rus, dhe kjo ‘qendër humintare’ në Nish është fabrikë gënjeshtrash që operon në thellësi, prej mediave të luftës e përtej”, shprehet Bursaç.

    Abdullahu shton se përveç kësaj qendre, “Rusia ka zyre të saj edhe brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Sebrisë”.

    “Raste të tilla janë tepër të rralla, meqë ushtritë aleate bashkëpunojnë zakonisht me oficer desku”, shprehet ai, derisa shton se “një ushtri që ka edhe zyre në zyret e një ushtrie tjetër, tregon që ato dy vende kanë politka shumë të përafërta të sigurisë dhe që nuk kanë çka të fshehin prej njëra-tjetrës”.

    Përveç se Serbia është e vetmja që ka refuzuar të bashkërendohet me botën perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë, Abdullahu ngren vëmendjen edhe në atë se është i vetmi vend ballkanik “që nuk është përfshirë në stërvitjet Defender 21 dhe Defender 23”.

    Gjithashtu edhe në Kosovë, që nga viti 2005, rikujton ai, Rusia ka një zyre me “staf shumë të madh që nuk janë vetëm diplomatë por edhe oficerë e zyrtarë të inteligjencës që punojnë në petk diplomatik”.

    Qendra e ashtuquajtur humanitare ruse, tregon Durim Abdullahu, “ka penetruar disa herë edhe në Kosovë”, dhe se për këtë gjë “autoritetet kosovare janë në dijeni të plotë”.

    “Megjithatë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, çdo lëvizje e Rusisë në rajon merret me një qasje tjetër nga ShBA-ja e cila përkarshi qendrës ruse në Serbi, jo shumë larg në vijë ajrore, ka në Kosovë kampin Bondsteel, qendra e dytë më e madhe ushtarake amerikane në gjithë Europën”.

    “Tashmë ka një ide-kërkesë zyrtare të Qeverisë së Kosovës që ky kamp ushtarak të kthehet në një bazë të përhershme, që do t’i jepte Kosovës një tjetër status sigurie edhe në rrafshin ndërkombëtar. Si i tillë, kjo është një lëvizje me shumë peshë për sigurinë afatgjate të Kosovës”, thotë ligjëruesi Durim Abdullahu.

    Autoriteti rus mbi atë serb

    Aktualisht, figurë numër një në Serbi është ambasadori Rus, Aleksandër Boçan Harçenko, vlerëson filozofi dhe njohësi i politikave të Beogradit, Dragan Bursaç.

    Madje “edhe më me peshë se vetë Vuçiç dhe kryepatriarku Porfirije”, vlerëson ai. “Kjo gjë tregon mjaftueshëm për ndikimin rus në këtë  vend”.

    “Nëse në çfarëdo mënyre bëhet që Rusia të hapë qendër ushtarake në Serbi pa asnjë dyshim kjo do të ishte prelud i luftrës në Ballkan. Pa asnjë dyshim. Mbase është më mirë të mbahet fshehtë, por a munden ky Vuçiç të çojë kokën ndaj ambasadorit rus?”, pyet ai.

    Edhe Kishën Ortodokse Serbe, si institucion me ndikim madhor në çështje socio-politike, Bursaç e sheh si “të mandatuar” nga Kisha Ortodokse Ruse.

    Kisha Ortodokse Serbe kohëve të fundit ka qenë subjekt denoncimi në rezolutat parlamentare evropiane si bartësja kryesore e përçarjeve etnike, narrativave anti-evropiane dhe pro-ruse.

    Paralajmërimet e Kurtit

    Në një numër paraqitjesh për media të huaja, kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka artikuluar, atë që, sipas tij, ka të ngjarë të ndodh – një konflikt i armatosur.

    Abdullahu i sheh si “paralajmërime realiste të një rreziku që lehtësisht mund të kthehet në kërcënim” deklarimet e kryeministrit.

    “Duhet patur parasysh që si kryeministër, ai ka qasje në shumë burime informacionesh zyrtare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat nuk janë të qasshme për publikun e gjerë dhe të cilat i mundësojnë atij të ketë një pamje më të plotë, më të qartë dhe më të largët të situatës”, thotë historiani për Reporteri.net.

    Përndryshe nga diskursi i Aleksandër Vuçiç, që Abdullahu thotë të jenë “fryrje zjarri të mundshëm lufte”, ato të Kurtit ishin “më shumë paralajmërues dhe herë-herë alarmues, që më shumë i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare, për çka jo rastësisht, deklaratat e tij për luftën ka zgjedhur t’i bëjë në intervista për media ndërkombëtare”.

    “Si kryeministër i vendit, atij i takon të mos injorojë asnjë informacion dhe të jetë maksimalisht vigjilent ndaj çdo zhvillimi prej të cilit në çfarëdo mënyre mund të pësojë sovraniteti dhe siguria e Kosovës”, vlerëson Durim Abdullahu.

    Për të kuptuar se deklaratat e Kurti “nuk janë as ekzagjerime dhe as jo reale”, ai thotë se “mjafton që këto deklarata të tij të lexohen në kontekst më të zgjeruar ndërkombëtar, ku përfshihen edhe qëndrimet e sekretarit të NATO-s, të zyrtarëve amerikanë, britanikë dhe gjermanë, si dhe të luftës që po zhvillohet në Ukrainë”.

    “Janë rrjedhojë e logjikshme e situatave rajonale dhe ndërkombëtre të sigurisë”, konkludon ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!